Ministri i Jashtëm gjerman propozon dialog për Mesdheun Lindor

Përpara vizitës që do të realizojë sot në Athinë dhe Ankara, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas bëri një deklaratë për mediat, ku rikujtoi se Turqia dhe Greqia janë aleate të Gjermanisë në NATO.

Duke thënë se mosmarrëveshjet në lidhje me gazin natyror në Mesdheun Lindor mund të zgjidhen vetëm në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe përmes dialogut të ndershëm mes palëve, Maas bëri këtë vlerësim:

“Përshkallëzimi i mëtejshëm i tensionit do të dëmtonte të gjitha palët.”

Dritaret e dialogut mes Turqisë dhe Greqisë nuk duhet të mbyllen, por të hapen akoma edhe më shumë, theksoi shefi i diplomacisë gjermane.

“Dhe për ta bërë këtë, në vend të provokimeve të reja tani është e nevojshme të hidhen hapa në drejtim të uljes së tensionit dhe fillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta. Ne duam ta mbështesim këtë sa të mundemi”,- shtoi ai.

Heiko Maas sot do të vizitojë fillimisht Athinën dhe pas përfundimit të kontakteve këtu do të kalojë në Ankara, ku do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu)./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne