Ministri i Jashtëm turk në Tiranë: Pastroni mbetjet e fundit të FETO-s! Brenda 2024 mbledhim Këshillin Strategjik mes dy vendeve! Hasani: Presim njohjen e patentave

Nga Tirana në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, ripërsëriti kërkesën e Ankarasë, për atë që ai e quajti pastrimin e mbetjeve të FETO-s në Shqipëri, organizatës së klerikut Fetullah Gulen, i akuzuar nga Ankaraja si përgjegjës për përpjekjet për grusht shteti në 2016. Mesazhin ministri turk e tha gjatë një konference të përbashkët me homologun shqiptar Igli Hasani.

‘Diskutuam në lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje. Diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë’ tha Hakan Fidan në mesazhin krah ministrit Hasani para gazetarëve.’- tha Fidan.

Shefi i diplomacisë turke, bëri po ashtu me dije se brenda 2024 do të zhvillojmë Këshillin e parë strategjik mes dy vendeve, marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan në Anakara. Fidan shtoi se objektivi ekonomik është që niveli i fluksit tregtar mes Turqisë e Shqipërisë të kapë vlerën e 2 miliardë dollarëve brenda këtij viti. Brenda 2024 duam të zhvillojmë Këshillin e Parë strategjik mes dy vendeve, platformë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që edhe vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të shkojë në 2 miliard dollarë brenda këtij viti.’- tha Fidan.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm Igli Hasani e quajti takim të frytshëm ku u diskutuan sfidat e sigurisë.

‘Sot, ne zhvilluam takimin e dytë të Grupit për Dialog Politik, një mekanizëm i paraparë nga Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënshkruar më 6 janar të vitit 2021 në Ankara.  Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në rrafshin dypalësh, rajonal e global.’- tha Hasani.

Dy ministrat e jashtëm diskutuan edhe për bashkëpunimin ekomomik Shqipëri-Turqi.
 “Investimet turke në Shqipëri arrijnë 3.7 mld euro. 15 mijë shqiptarë janë të punësuar me 830 kompani turke që operojnë në vendin tonë. Përshëndesim miratimin nga parlamenti turk marrëveshjen për njohjet reciproket të patentave.”- deklaroi Hasani.

Kryediplomati turk, një thirrje të ashpër i adresoi edhe komunitetit ndërkombëtar se nuk po bën aq sa duhet për paqen në Gaza.  “Nuk po jepet leje për humbjen e ndihmave humanitare në Gaza, komuniteti ndërkombëtar nuk ka patur reagim në nivelin e duhur, faktori ndërkombëtar të marrë masa që kjo të përfundojë sa më shpejt sepse do jetë vonë, krahas atyre që humbën jetën nga plumbat, ka shumë që po humbin jetën nga uria!’- tha Fidan.Kujtojmë, që më 22 shtator 2022, qeveria vendosi mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë. Kopshti u mbyll me urdhër të ministres së Arsimit dhe Sportit me argumentin se ishin konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi. Kolegji ishte pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal” që financohet nga kleriku filantrop, Fethullah Gylen, që njihet si kundërshtari më i madh i presidentit turk Erdogan dhe jeton në SHBA./shqiptarja 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne