Ministri izraelit akuzon presidentin Biden

Ministri izraelit i Diasporës, Amichai Chikli, akuzoi administratën e presidentit amerikan Joe Biden për nxitjen e protestave kundër planeve të qeverisë për reformën e drejtësisë, transmeton Anadolu.

“Është interesante të theksohet se sa herë që bisedimet fillojnë në rezidencën e presidentit ose kur ka nevojë për të shtypur protestën, përkojnë deklaratat e Bidenit”, tha Chikli në një deklaratë të cituar nga gazeta “The Times of Israel”.

“Administrata Biden ka një lidhje të ngushtë me (liderin e opozitës Yair) Lapid; mes tyre ka një lidhje të thellë”, tha ministri izraelit.

“Duket se deklaratat (e Bidenit) janë të paracaktuara dhe të orkestruara nga Lapid, Ehud Barak dhe bashkëpunëtorët e tyre që kanë marrëdhënie miqësore me Bidenin dhe ekipin e tij”, tha Chikli.

Biden tha në një intervistë për CNN-in të shtunën se qeveria e koalicionit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka disa nga “anëtarët më ekstremë” që ai ka parë në Izrael.

Chikli është anëtar i Partisë Likud të krahut të djathtë të Benjamin Netanyahut.

Nuk ka pasur ende asnjë koment nga administrata Biden për deklaratat e Chiklit.

Opozita izraelite organizoi një sërë protestash në gjithë Izraelin kundër votimit të parlamentit mbi një projektligj për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.

Projektligji u miratua në lexim të parë me 64 vota pro dhe 56 kundër. Megjithatë, ai do të kërkojë leximin e dytë dhe të tretë për të qenë ligj efektiv.

Izraeli miratoi po ashtu një tjetër projektligj, që do ta bënte më të vështirë shkarkimin e kryeministrit për akuza të korrupsionit me të cilat ai ende përballet.

Izraeli ka qenë i përfshirë nga trazirat politike muajt e fundit lidhur me reformën e planifikuar gjyqësore nga qeveria Netanyahu, të cilën opozita e sheh si rrëmbim pushteti në favor të autoritetit ekzekutiv./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne