Ministri izraelit Ben-Gvir premton shpërndarje të mëtejshme të armëve përkundër kritikave

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i njohur për fushatën e tij të armatosjes së civilëve në Izrael dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar, bëri thirrje për “rritje të armatosjes individuale”. Ai e bëri thirrjen nga vendi ku u vranë 3 izraelitë mëngjesin e sotëm. Ben-Gvir dha deklaratë para gazetarëve në hyrje të Kudsit Perëndimor, ku u vranë 3 izraelitë në një sulm të armatosur.

Duke pretenduar se sulmi “tregon se nuk duhet biseduar me Hamasin”, Ben-Gvir tha: “Përkundër kritikave nga të gjitha anët, unë do të vazhdoj politikën e shpërndarjes së armëve kudo, punonjësve të urgjencës dhe civilëve. Shohim herë pas here se armët shpëtojnë jetë”. Ai shtoi se për këtë kanë një muaj e gjysmë që mbajnë kurse dhe trajnime për përdorimin e armëve. Duke pretenduar se civilët e armatosur mund të “shpëtojnë jetë” në vendet ku nuk ka polici, Ben-Gvir pohoi se qëndrimi i tij kundër marrëveshjes së arritur me Hamasin në Gaza ishte i njohur dhe se sulmi ishte organizuar nga Hamasi.

Në një sulm të armatosur në Kudsin Perëndimor, u vranë 3 izraelitë dhe 3 persona u plagosën rëndë. Policia izraelite njoftoi se dy palestinezë të Kudsit Lindor të pushtuar, të cilët thuhet se kishin kryer sulmin, u vranë nga ushtarët dhe një civil i armatosur. Ben-Gvir, i njohur në Izrael për politikën e tij supremaciste hebreje, jeton në një vendbanim të paligjshëm hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ka qenë prej kohësh një figurë e diskutueshme.

Sipas raporteve të mediave izraelite, rreth 25.000 armë, municione dhe materiale të tjera luftarake, u blenë nga kompani izraelite dhe të huaja si pjesë e fushatës së Ben-Gvir për të armatosur civilët dhe kolonët pas ngjarjeve të 7 tetorit. Mediat raportuan se autoritetet izraelite të sigurisë fushatën e ministrit Ben-Gvir e ndoqën me shqetësim, pasi ai ndau fotografi të tij duke shpërndarë armë për civilët në pjesë të ndryshme të Izraelit. Ben-Gvir shpërndau foto të personave të arrestuar për postimet e tyre në mediat sociale pas 7 tetorit, me duart e lidhura me pranga përpara flamurit izraelit.

Ai gjithashtu njihet si ish-anëtar i lëvizjes raciste “Kah”, të cilën Izraeli e ndaloi në vitin 1998 për akte terroriste ndërsa SHBA-ja e shpalli organizatë terroriste. Ben-Gvir, i cili u përjashtua nga shërbimi ushtarak për shkak të pikëpamjeve të tij radikale dhe kundër të cilit u përgatitën 53 aktakuza me akuza si “urrejtje, gjuhë provokuese dhe racizëm”, u dënua në vitin 2007 për “racizëm dhe mbështetje të një organizate terroriste” dhe u largua nga shërbimi ushtarak për shkak të pikëpamjeve të tij ekstremiste.

Në qeverinë e koalicionit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e cila mori detyrën në fillim të vitit, Ben-Gvir u emërua ministër i Sigurisë Kombëtare, përgjegjëse për zbatimin e ligjit në vend./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne