MINISTRI PËR DORËHEQJEN E PROKURORIT: E PA PRANUESHME QË TË ZGJEDHË DORËHEQJEN NGA KËRCËNIMET

Pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e manipulimeve me listat e veteranëve si dhe të rastit të imamit Shefqet Krasniqi ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke thënë se në kohën kur të gjitha përpjekjet e tyre si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund.

Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë.

Lexoni të plotë postimin e Tahirit në Facebook:

“Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje nga detyra zyrtare, për aq sa thuhet në lajme, me pretekstin se është kërcënuar si pasojë e punës së tij hetuese.

Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund. Republika jonë është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritet mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë.

Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë.

Është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë. Krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

Republika e Kosovës ka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacënueshmërinë e punës së tyre nga kushdo. Nuk do të lejojmë për asnjë çast që shteti ynë të duket shtet i brishtë dhe nuk do të tolerojmë askënd dhe asgjë që të jetë mbi ligjin.

Ky rast, është po ashtu një ftesë për krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë për të pasur një koordinim më të ngushtë që adreson çdo defekt të sistemit, në mënyrë të përgjegjshme, të pa kompromis dhe të pa alternativë. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë pritje të arsyeshme, i besojnë dhe duhet t’i besojnë sistemit të drejtësisë dhe ne si institucione nuk do të tolerojmë asnjëherë devijimin e kësaj perspektive”.
Burimi: Insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne