Bota

Ministri turk bën thirrje për themelimin e Palestinës së pavarur

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka theksuar se një zgjidhje dyshtetërore është e nevojshme për të zgjidhur çështjen palestineze, duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) që të mbështesin përpjekjet për shtetin palestinez.

OIC zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të saj në Stamboll të martën, pas javësh të polemikave që kanë ndjekur veprimet izraelite në xhaminë e Aksasë në Jeruzalem, pas një përleshjeje vdekjeprurëse.

Duke folur në takimin e ministrave të jashtëm të OIC-së, Çavuşoğlu theksoi se një nga përgjegjësitë kryesore të shteteve anëtare të OIC-së është të mbështesin muslimanët dhe të ruajnë trashëgiminë islame në Jeruzalem, duke vënë në dukje se: “Është misioni ynë që të mbështesim Jeruzalemin. Një divergjencë e mundshme midis nesh do të ishte e dobishme vetëm për armiqtë e Islamit. Nuk duhet harruar se nëse tregojmë mospajtim, armiqtë e Islamit do të jenë të kënaqur.

“Me veprimet tona, le të mbështesim miliona palestinezë që janë detyruar të qëndrojnë nën okupimin e Izraelit ose të ikin jashtë vendit”, tha Çavuşoğlu.

“Ne ftojmë të gjithë ata që kanë ngritur zërin për të ndaluar këtë padrejtësi dhe për të njohur shtetin palestinez”, tha ai.

“Një zgjidhje dyshtetërore është e domosdoshme. Ne mbështesim rivitalizimin e proçesit të paqes [izraelito-palestinez]. Megjithatë, mosrespektimi i ligjit dhe i ndershmërisë nuk do të sjellë paqe të përhershme. Duhet të formohet një shtet i pavarur palestinez, kryeqyteti i së cilit është në Jeruzalemin Lindor, në përputhje me kufijtë e vitit 1967. Kufizimet apo ndalimet nuk mund të pranohen. Ne kemi qenë ndjekës të rreptë të situatës dhe ne do të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë palestinezë në luftën e tyre,” tha Çavuşoğlu.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në rolin e presidentit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ka thënë më herët se Al-Aksa “jo vetëm që i përket palestinezëve, dhe që është gjithashtu e nderuar, por njëkohësisht konsiderohet si një vend i shenjtë prej 1.7 miliardë muslimanë në mbarë botën”.

“Si presidenti i [OIC], unë i bëj thirrje Izraelit edhe një herë që të veprojë në përputhje me sundimin e ligjit dhe vlerat themelore të njeriut. Dëshiroj të theksoj edhe një herë se [Izraeli] duhet të shmangë hapa që do të përshkallëzojnë më tej tensionet,” shtoi ai.

Ndërkohë, mijëra njerëz u mblodhën të dielën në një nga sheshet më të mëdha të Stambollit për të treguar solidaritet me palestinezët lidhur me kufizimet e fundit izraelite në xhaminë Al-Aksa në Jeruzalem.

Duke u përballur me kritikat dhe presionin ndërkombëtar, Kabineti i Sigurisë së Izraelit vendosi të hënën vonë për të hequr detektorët metalikë. Një deklaratë e lëshuar pas takimit tha se do të vendosej një sistem i ri mbikqyrjeje që do të përdorte “kontrollet e mençura”, të bazuara në teknologji të përparuar.

OIC përbëhet nga 57 shtete anëtare dhe është themeluar në vitin 1969. Aktualisht Turqia mban presidencën e saj. / © Gazeta Impakt

Etiketa

OPINIONE