Miratohet kerkesa për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kërkesën e prokurorisë mbi lejimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për disa vepra penale në lidhje me kontratat e koncensionit mbi ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve, raporton Anadolu.

Në seancën e posaçme parlamentare, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë është miratuar me 117 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, duke iu hequr imuniteti si deputet Arben Ahmetajt.

Gjatë fjalës në seancë, deputeti i partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Arben Pëllumbi, tha se anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojnë se nga pikëpamja formale kërkesa e prokurorisë për deputetin Ahmetaj është në përputhje me kërkesat ligjore dhe sipas tij kërkesa plotëson kriteret e Kushtetutës.

Deputeti i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, gjatë fjalës në seancë u shpreh se “kjo dosje na provoi secilit prej nesh se çfarë është kapja e shtetit”.

Ish-zv.kryeministri Ahmetaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme parlamentare, ndërkohë në lidhje me çështjen ndaj tij ai ka reaguar në rrjetet sociale, ku shkruan se “Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt”.

“Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri, kam pasur kontakte me gati 100 për qind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit”, shkruan Ahmetaj.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë disa ditë më parë paraqiti kërkesën në Kuvendin e Shqipërisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i dyshuar për veprat penale “Korrupsion pasiv”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas prokurorisë, që iu referohet disa kontratave koncesionare për impiantet e mbetjeve në Shqipëri, vlerësohet se Ahmetaj, ka siguruar “përfitime të parregullta në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën dhe funksionin e tij”.

Ahmetaj ka mbajtur postin e zv.kryeministrit të Shqipërisë nga shtator 2021 – korrik 2022 si dhe ka drejtuar disa ministri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne