Mjekët shqiptarë në Brescia për COVID 19, flet menaxheri i spitalit: Ja pse nuk mund të fillojnë menjëherë nga puna

Kanë mbërritur në Brescia të Italisë, tridhjetë mjekët dhe infermierët shqiptarë që do të ndihmojnë në luftën me koronavirusin. Por ata nuk do të jenë në gjendje të fillojnë menjëherë nga puna.

“Ne jemi mirënjohës për ardhjen e mjekëve dhe infermierëve që kanë mbërritur nga Shqipëria, por për fat të keq mbetet një problem themelor: prania e personelit të specializuar për kujdesin intensiv”, thotë menaxheri i përgjithshëm i Spitalit Civil të Brescia Gianmarco Trivelli.

“Ata erdhën pa një dokument që vërteton aftësitë e tyre dhe do të bëjnë një provim brenda ditës për të kuptuar se ku t’i drejtojmë,” shpjegon Trivelli, raporton gazeta “La Repubblica”.

“Mjekët shqiptarë mezi presin të hyjnë në veprim. Kanë vizituar Spitalet Civile dhe thonë që duan të “ndihmojnë”. Ata janë vendosur në një hotel afër spitalit dhe sqarojnë se “kjo përvojë do të na shërbejë gjithashtu, sepse nëse gjërat shkojnë keq në Shqipëri ne do të kemi tashmë përvojën e nevojshme. Kjo është shtëpia jonë, ne jemi në Brescia dhe kemi një dëshirë të madhe për t’ju ndihmuar.”, sqaroi ai.

Ndërkohë, në ndihmë mjekëve italianë do t’ju vijnë edhe mjekë nga Polonia. 15 mjekët polakë do të mbërrijnë në Brescia në një fluturim humanitar.

Ata janë specialistë të kujdesit intensiv dhe respirator, të ndarë në tre ekipe të mjekësisë urgjente. Polakët do të japin ndihmën e tyre në spitalin, ku situata është për momentin më kritike dhe që vazhdon të regjistrojë numrin më të lartë të pacientëve Covid-19.

/BalkanWeb

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne