Modi: India dëshiron paqe me Kinën

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka folur për paqe me Kinën pas konfrontimit midis ushtrive të dy vendeve në rajonin e diskutueshëm Xhammu dhe Kashmir, ku u vranë të paktën 20 ushtarë indianë.

“India dëshiron paqe, por është e aftë të japë një përgjigje efektive nëse provokohet, qoftë ajo çdo lloj situate”, tha Modi në një video-konferencë për media.

Në fjalën e tij, Modi shprehi ngushëllime për vdekjen e 20 ushtarëve indianë, përfshirë një kolonel, të cilët humbën jetën në një konfrontim të dhunshëm mes ushtrive të Indisë dhe Kinës.

“Do të doja ta siguroja kombin se sakrifica e ushtarëve tanë nuk do të jetë e kotë. Për ne uniteti dhe sovraniteti i vendit është më i rëndësishmi. I gjithë vendi është me familjet e atyre që sakrifikuan jetën e tyre për vendin”, tha Modi.

Ai gjithashtu theksoi se India nuk i kundërvihet askujt, por gjithashtu nuk komprometon sovranitetin e saj.

Më herët gjatë ditës, kreu i partisë opozitare “Kongresi Kombëtar Indian”, Rahul Gandhi, e pyeti Modin për strategjinë e qeverisë.

“Pse hesht kryeministri? Pse fshihet? Mjaft është mjaft. Duhet të dimë se çfarë ka ndodhur. Si guxon Kina të vrasë ushtarët tanë? Si guxojnë të marrin tokën tonë?” shkroi Gandhi në rrjetet sociale.

Përshkallëzimi masiv ndodhi të hënën pas disa javësh tensione përgjatë Linjës së Kontrollit Aktual (LAC), kufiri de fakto midis dy vendeve.

Përplasjet kufitare, të cilat filluan më 5 maj në Luginën Galwan në rajonin Ladakh në veri, dhe vazhduan tri ditë më pas në kalimin malor Naku La në Sikkim, çuan në një konfrontim ushtarak dhe diplomatik midis Indisë dhe Kinës.

Mijëra ushtarë nga të dy palët kanë qenë duke bërë kampim përgjatë LAC-së.

Incidenti ndodhi në kohën kur në luginë po zhvillohej “procesi i deeskalimit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne