MPJ turke: Deklarata e Kancelares Merkel për operacionin “Dega e Ullirit”, e papranueshme

Turqia dënoi dhe cilësoi si të papranueshme deklaratën e Kancelares gjermane, Angela Merkel, në lidhje me operacionin “Dega e Ullirit”, që ushtria turke po ndërmerr që prej 20 janarit në distriktin Afrin të Sirisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë bëri me dije përmes një komunikate të shkruar se operacioni “Dega e Ullirit” duhet të merret si shembull për mënyrën se si lufta antiterrorizëm mund të realizohet pa dëmtuar civilët.

“Operacioni ‘Dega e Ullirit’ është një operacion që krijon një precedent se si lufta kundër terrorizmit mund të bëhet pa dëmtuar civilët. Të dhënat e mbledhura në Afrin dhe të ndara rregullisht me publikun zbulojnë shkallën dhe natyrën e pabazuar të propagandës së zezë kundër operacionit. Në të vërtetë, nuk ka asnjë kërcënim tjetër për banorët e Afrinit përveç eksplozivëve dhe minave të mbjella nga PYD/YPG-ja, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PPK. Sapo këto të pastrohen me shpejtësi, siguria e stabiliteti do të vendosen dhe jeta do t’i kthehet normales.

Me këtë rast, ne e vlerësojmë të papranueshme deklaratën fatkeqe të bërë sot në lidhje me operacionin ‘Dega e Ullirit’ nga Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë gjatë fjalës së saj drejtuar Bundestagut gjerman, bazuar thjesht në keqinformim që s’ka të bëjë aspak me realitetin. Me operacionin ‘Dega e Ullirit’, Turqia ka synuar të garantojë sigurinë kombëtare të saj nëpërmjet të drejtës së saj për vetëmbrojtje, si dhe të shpëtojë Afrinin nga terroristët duke ia kthyer atë pronarëve të tij të vërtetë. Përkundër këtij sfondi, ne e shohim thellësisht të çuditshme që disa nga aleatët tanë vazhdojnë t’i shohin ngjarjet e tanishme nëpërmjet syve të organizatave terroriste.

Ne i ftojmë aleatët tanë që të bëjnë përpjekje për të krijuar paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në Siri, në koordinim dhe konsultim të ngushtë me vendin tonë, në vend që të vendosin veten në një pozicion mbështetës të organizatave terroriste duke u dhënë kredi fushatave të dezinformuese kundër Turqisë”, thuhet në një deklaratë me shkrim të publikuar ditën e mërkurë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne