MPJ Turke: E pavërtetë deklarata e DASH-it për shpimet në Mesdhe

Turqia i është përgjigjur deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) lidhur me aktivitetin e saj të sondimit që vazhdon në Mesdheun Lindor.

Thirrja që ShBA-ja i bën Turqisë për ekzistencën kinse të një marrëveshjeje të vlefshme kufizuese në lidhje me një hapësire të pretenduar nga grekoqipriotët nuk është një qasje konstruktive dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, thekson komunikata e MPJ-së.

Marrëveshjet që pjesa greke e Qipros ka lidhur me vendet e rajonit me objekt përcaktimin e kufijve të Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE)nuk vlejnë as për Turqinë, e as për qipriotët turq, nënvizon Ministria në komunikatën e saj, ndërsa shton se Turqia e ka informuar bashkësinë ndërkombëtare për Platformën e saj Kontinentale dhe i ka certifikuar kufijtë e saj në OKB.

“Marrëveshjet ndërmjet të gjitha shteteve anadetas për vendosjen e kufijve në fjalë, të bazuar në drejtësi dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, nuk kanë përfunduar ende. Në një situatë të tillë janë të papranueshme përpjekjet që bëjnë palët e treta për të përcaktuar se ku do të kalojnë kufijtë në det duke e konsideruar veten e tyre si një gjykatë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, thirrja që ShBA-ja i bën Turqisë për ekzistencën kinse të një marrëveshjeje të vlefshme kufizuese në lidhje me një hapësire të pretenduar nga grekoqipriotët nuk është një qasje konstruktive dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, vijon komunikata.

Ministria e Jashtme turke thekson përmes komunikatës së saj se anijet e sondimit dhe sizmike të Turqisë do ta vazhdojnë me vendosmëri aktivitetin e tyre eksplorues dhe shpues në platformën ndërkombëtare.

“Në të njëjtën mënyrë Turqia do të vazhdojë të mbrojë edhe të drejtat e qipriotëve turq lidhur me të drejtat e tyre në platformën kontinentale për sa kohë që pala grekoqipriote nuk i përfshin turqit qipriotë, të cilët janë ortaku i barabartë i Ishullit, në mekanizmat vendimmarrëse për burimet e hidrokarbureve apo për sa kohë që grekoqipriotët nuk do të heqin dorë nga aktivitetet e tyre të njëanshme në fushën e hidrokarbureve”, përfundon komunikata./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne