Bota

MPJ turke: “Rezoluta e PE-së, e njëanshme”

Thirrja që i bëhet Turqisë në lidhje me Operacionin “Dega e Ullirit” në rezolutën me titull “Situata në Siri”, miratuar dje (15 mars) nga Parlamenti Evropian (PE), është një tregues i ri i asaj se sa i shkëputur është Parlamenti Evropian nga realiteti, thuhet në komunikatën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Me këtë vendim Parlamenti Evropian ka demonstruar edhe një herë një pikëpamje të njëanshme dhe larg objektivizmit”, vijon komunikata.

Ministria theksoi se Operacioni “Dega e Ullirit” në Afrin është një operacion antiterror dhe i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, dhe këtë operacion Turqia e zhvillon në kuadër të të drejtës legjitime të vetëmbrojtjes që buron nga pika 51 e Kartës së OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për antiterrorizmin si dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

“Synimi i operacionit janë elementët e organizatës terroriste PKK/KCK/PYD-YPG që janë të vendosur në rajonin e Afrinit si dhe elementët e DAESH-it që kanë ardhur nga rajone të tjera të Sirisë dhe janë strehuar në këtë zonë. PKK-ja bën pjesë në listën e organizatave terroriste të BE-së. Si rrjedhim, operacioni ka legjitimitet ndërkombëtar jo vetëm në drejtim të garantimit të sigurisë së Turqisë, por edhe të Evropës”, bën të ditur Ministria e Jashtme.

“Këto akuza që i drejtohen Turqisë, e cila po merr të gjitha llojet e masave gjatë operacionit për të shmangur dëmtimin e civilëve në rajon, janë të padrejta dhe të pabaza. Nuk mund të shpjegohet me asgjë marrja në konsideratë nga Parlamenti Evropian i pretendimeve të pabaza që e kanë burimin tek organizata terroriste dhe të shpërfillë përpjekjet që po bën Turqia në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

“Është e pamundur për ne që të pranojmë këtë rezolutë të Parlamentit Evropian, ndërkohë që dihet e kaluara institucionale e tij në lidhje me tolerancën që ka treguar ndaj organizatave terroriste. Ashtu siç ka bërë deri më tani, Turqia do ta vazhdojë me vendosmëri përpjekjen e saj kundër të gjitha organizatave terroriste”,- nënvizon Ministria përmes komunikatës së saj.

Në komunikatë rikujtohet që Turqia është një nga vendet që bën përpjekjet më të mëdha për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në Siri, veçanërisht në Gutën Lindore dhe për të reduktuan tensionet në rajonet e tjera duke përfshirë Idlibin si dhe për vendosjen e qetësisë në terren. Ajo gjithashtu luan një rol pararojë me mbështetjen dhe kontributin që jep në përpjekjet për zgjidhjen e krizës siriane me rrugë politike.

Në këtë kontekst, Turqia i fton Parlamentin Evropian (PE) dhe vendet e BE-së që të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në kuptimin e vërtetë të fjalës për përfundimin e krizës 7-vjeçare në Siri dhe ndërprerjen e konflikteve në terren.

Në seancën e djeshme (15 mars) Parlamenti Evropian (PE) miratoi një rezolutë, përmes të cilës i bën apel Turqisë të ndalojë operacionin “Dega e Ullirit” duke pretenduar se operacioni kërcënon civilët. Në rezolutë shprehet shqetësimi për rritjen e tensionit në Afrin dhe i bëhet thirrje Turqisë të tërheqë ushtarët nga Afrini dhe të luajë rol konstruktiv.

“Nga Afrini vijnë lajme për humbje jetësh civilësh”, pretendohet në rezolutën e PE-së dhe kërkohet përqendrim në mposhtjen e grupeve që janë njohur si organizata terroriste nga Kombet e Bashkuara./ trt

OPINIONE

INTERVISTA