Mullinjtë e erës dhe Zana Ramadani

Nga Fjolla SPANCA

Kaherë e kam zënë vetën ngushtë nga pamundësia për të shkruar nja dy gjëra kur binte fjala tek feminizmi, gratë dhe feja. Druajtja se mos nuk i dilja në krye zotimit, më ka sforcuar e hutuar. Cuditërisht, dje krejt papritun më bjen në dorë një intervistë me titull “Nënat myslimane i edukojnë bijtë e tyre si të bëhen dështakë”. Po lexoja nëpërmjet rreshtave mllefin e një gruaje dhe gati – gati më dukej e pabesueshme që pathosi i urrejtjes dhe përbuzjes ndaj botës islame e digjte pa mëshirë kryepersonazhin e intervistës.

Thënë drejtën, Zana Ramadani nuk është e para dhe as e fundit penë e zeherosur, përmes së cilës rëndohet ajri i arsyes së paqtë dhe konfrontohen hapur kulturat, traditat e fetë. Ramadani i vendos këto të treja në antagonizëm përjashtues me njëra-tjetrën. Madje ajo stërhollohet në akuzat absurde mes të cilave, pasqyrohen sheshazi komplekset, mosdija, papjekuria dhe nxitimi.

Do ishte fare e pandershme të mos pranoja faktin se Bota sot është një kazan ku bashkëzihen dijet, idetë, vlerat, normat, qytetërimet, filozofitë, kulturat … E mbi të gjitha, bota e ditëve tona dergjet prej sindromës së frikshme të neurozës islamofobike. Ramadani dhe soji i saj me ligjerimet nihiliste mesjetare, papërgjegjshmërisht e thellojnë hendekun e mirëkuptimit dhe paqes, biles thirrjet histerike për të mohuar të drejtat e grave që zgjedhin rroba të ndryshme prej tyre, janë po aq të rrezikshme sa pretendimet e feministeve që Zana Ramadani nuk i honeps dot.

Rëndësi (s)ka fama.

Zana, mund të ketë ndjekur mësimet në universitetet më të mira Perëndimore POR vetën e saj akoma nuk e ka nxjerr prej Fshatit të humbur diku në Ballkan. Ajo mëton qëndrimin sipër feministëve të FEMEN, ama është e trishtë me e pa qytetin e paqenë, atë të errëtin, të turbulluarin e të humburin, ku i ngjizë idetë aventuriere. Nuk kisha për ta marrë seriozisht mllefin e Ramadanit, nëse ajo do fliste veç për Islamin ose veç për gratë. Jo, përkundrazi. Zana tjerret në të dy çështjet, duke ngrejt turlilloj paradigmash; përmes të cilave doemos do ta asgjësojë dikë, i cili mjafton të plotësojë kushtin e parë: të jetë një fije ndryshe prej Ramadanit.

Ligjërimi i Zanës përveçse nuk ndihmon paqen, nuk është aspak kontribut për të drejtat e grave (nënave, motrave, shoqeve, bijave) të cilat ndjehen dyfsish të përbuzura e të sulmuara. Ose le ta themi ndryshe: kë synon të luftoj Zana? Fenë? Gratë? Shoqërinë? Dhe cilat janë rezultatet që pretendon me heqjen e fesë? Pra, atëhere jetokan të gjithë të lumtur?! (Zanë, në Shqipëri s’pati fe fare në komunizëm. Kur të kesh nge’ duku dhe shih si kanë çel problemet mendore andejpari; si jetojnë gratë dhe burrat me supet e rënduara nga turlilloj frikërash gati imagjinare.)

Po gratë që jetojnë në një shtet apo qeveri me probleme ekzistenciale ku arsimimi është zëri minimal i buxhetit, cka duhet të bëjnë? Apo gratë që jetojnë në shoqëri ku tradita kanunore prevalon mbi normat ligjore/ fetare? Në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri ka analfabetE me shumicë. Të tilla gra, nuk kapërcejnë as pragun e shtëpisë. Tashmë je feministe e famshme, Zanë. Duhet t’i dish këto dhe t’i kesh lexuar dy-tre libra për historinë, traditën, kanunin, Islamin. T’i çelje shteg pasqyrimit të rrethanave ku po jetojmë.

Apo vetiu e kupton që edhe ti lirshëm mund të identifikohesh me “katundarizmin” të cilin e mohon, për sa kohë të lezeton karrigia ku je ulur dhe s’pranon me i braktisë idetë mesjetare prej të cilave riaktivizohen “Kryqëzatat” kundër disa. Sepse ti, ndonëse nuk e pranon Islamin si të tërë, mbahesh për muslimane si e si për ta sfiduar “pabarazinë sociale”. Pra, je intelektuale që ekspozohet publikisht, do mbështetje të plotë meqë po braktis ca “vlera” jo se i njeh por se sipas teje janë ngritur mbi pabarazi. “Sa fisnike!”

Me i shit mendt ku s’i hajnë as dhentë.

Ndoshta thirrjet e Zanës për ndalimin e shamisë; “pushkatimin” e konservatorëve, shkundjen e maçove myslimanë dhe nënave të tyre kanë për t’i goditë dofarë raportesh e interesash.

Vërtetë në trojet shqiptare vitet e tranzicionit kanë lënë shumë për të dëshiru derisa ekonomia e brishtë dhe varfëria e kanë rrënu jetën në bashkësi; atë jetën kolektive ku njeriu kujdeset për njeriun; si amanet të lënë në Tokë. Lufta për ekzistencë i ka tëhuajsu shoqëritë kaherë. Shqiptarët që nuk shquhen për mbamendje të theksuar; shpejt e kanë mohu trashëgimin kolosale të së kaluarës duke u dhënë kështu mbas materiales, sepse veç në këso mënyre kanë arritë me i mbush barqet bosh. Edhe është krejt noramle se kur njeriu reduktohet vetem tek sigurimi i kafshatës, lë mbas dore artin; muzikën; teatrin; librin; dijen.

Prej kohësh bastoret, kafenetë, plantacionet e drogës dhe lokalet ku vajzat e reja kërcëjnë lakuriq janë më të frekuentuara se xhamitë e kishat. Shkollat janë aty, sa për të qenë. Si një feministe dhe politikane e lindun, Zana duhet ta dinte fort mirë se kultura e punës ka vdekur qyshkur. Dhe madje është tepër ofenduese për nivelin intelektual të Ramadanit kur krahaso Perëndimin me atdheun e harruar të shqiptarëve. Ajo dhe shoqet e saj, s’kanë pse humbin energji kot per shitjen e mendve sepse në situatën që është katandis populli sot, pak njerëzve u bëhet vonë për krizat e identitetit të Zanave!

Gratë pa emën. Gratë që dijnë me çmu jetë.

Edhe njëherë për gratë.

Sa herë rrekem me kuptu madhninë e gruas, përpiqem mos me u ngatërru me imazhin e burrit. Ndoshta fjalët janë vocërrake kur turren me i dëftu dallgët e begatuara që dalin prej krahrorit të një gruaje. Asaj qenies së brishtë dhe të fortë; te lehtë e të rëndë; të pakursyer në mëshirë dhe të kulluar në dëshirë; e cila s’mund të këqyret vetëm si “potencial riprodhimi” për kombin. Gruaja, përtej të qenurit nënë, motër, grua, vajzë, shoqe është qenie e plot.

Shekujtë kanë nxjerrë shembujë të mrekullueshëm të grave fisnike; grave të forta; të ditura e të urta. Paralelisht, janë lexue edhe gratë, brendësia e të cilave nuk ka shkëlqyer ndonjëherë. Pra, bota është rrethuar prej të Mirës Sublime dhe sfidës së yshtur nga padija e smira. Është e papranueshme me thënë se të gjitha gratë janë engjujë, sikurse nuk pranohen gjykimet përgjithësuese: të gjitha gratë e fusin djallin ne shishe!

Dua të them se Zana, ka të drejtë kur shqetësohet për nënat që djemtë e tyre i rrisin nën hijen e bindjeve misogjenike. Në shumë raste, këto gra para se të bëheshin nëna kanë kaluar situata jo fort të këndshme në fëmijërinë e tyre ose adoleshencën e hershme. Zana harron se plot gra janë lindur e rritur në familje me probleme ekonomike, sociale e kulturore. Gratë qysh herët janë përjashtuar nga “rrethi i pushtetit” ose thënë ndryshe, djemtë, burrat apo pleqtë e odave kanë krijuar mendësinë/ kultin e supremacisë mashkullore duke u bazuar në ca “norma” që ishin ma tepër të lidhura me kontekstin kohor, traditën e zakonet se sa fenë.

Në familjet patrilineare shqiptare trashëgimia përcjellet nga ana e gjakut të linjës mashkullore. Burri apo subjekti ka qenë zotëruesi absolut i pronave dhe anëtarëve të familjes. Ai garantonte sigurinë ekonomike dhe sociale. Kurse gruaja ishte “ajo” e pasigurta në sferën private dhe publike; objekti i rrezikuar dhe asnjëherë i aftë për t’u vetmbrojtur. Besa, gratë as nuk janë menduar si mjaftueshëm të zonjat për t’u shkolluar, ndaj dhe kanë mbetur të izoluara. “Natyshëm” në këso situatash, familja i ka favorizuar djemtë kaherë, ndërsa vajzat janë shtypur që në vegjëli. Kjo traditë nuk ka patë asnjëherë bazë fetare sepse bie fjala, trashëgimia sipas ligjit Islam i takon të gjithë fëmijëve, pa dallim gjinie. Kurse kur flasim për mëkatet, të cilat Zana i liston me hijeshi, ndëshkimi sipas fesë është i njejtë si për burrin, ashtu dhe për gruan, anise popujtë nuk e kanë parë si shqetësim sjelljen e djalit; kundrejt sforcimit të vajzës për ta ruajtur nderin e vet.

Rrjedhimisht, pa u hapërdarë në habi a çudi gjithsecili prej nesh e pranon të vërtetën e hidhur, se ky është Ballkani i trazuar; ku adetet pranpanike të ngjyera me probleme ekonomike, i kanë tëhuajsuar gratë. Zana, në ato që shkruan e thotë vizaton traditat e familjes shqiptare; asaj të mbyllurës, që i ka rënë për hise së pari asaj e pastaj pothuajse shumicës së popullit. Por, nuk mund të harrojmë se mes shqiptarëve, akoma jetojnë ca njerëz normal, të cilët përpiqen dhe nuk drejtojnë gishtin kah tjetri sa herë numërojnë hallet që kanë.

Kur mbulohet zemra, duke u z(m)buluar mendja

Njerëzit flasin për Islamin me llafet që dëgjojnë nëpër edicione lajmesh ose kafene lagjesh dhe e gërshetojnë me diskutimin mbi muslimanët të cilët doemos duhet të jenë ose janë: të prapambetur, patriarkal, injorantë, radikal, terrorista, ekstremista, ista-ista-ista. Rrallë gjenë qytetarë që e kanë tejkalu lajmin propagandistik dhe i pranojnë bashkëqytetarët që praktikojnë ritet fetare. Me e pranu, do me thënë me e respektu dhe me e vlerësu tjetrin, anise mund të jetë i ndryshëm nga vetja jonë.

Do ishte absurde me pohu se të gjithë muslimanët janë njerëz të mirë, sikurse është e papranueshme me i quajt të gjithë muslimanët terroristë apo ekstremistë. Muslimanët janë qytetarë të çdo shoqërie, rreth e brenda së cilës jetojnë. Ata janë po aq shqiptarë sa ç’jemi unë e ti që lexon këtë shkarravitje; dhe janë edhe më të kultuaruar se sa Zanat që kur flasin, nuk kanë takt për me e zgjedhë të paktën FJALËN, e cila është urë lidhëse mes zemrash.

Zana dhe ca feministe të tjera nxitohem pafalshëm kur flasin për gruan; veçanërisht gruan muslimane që ka vendos me vu shaminë sipër flokut të saj. Shpesh herë ato gabohen kur mbulesën e quajnë “Shenjë Aparteidi”. Nuk mund të sjellësh si shembull Iranin apo Irakun, kur përsiat për trupin e gruas. Nuk duhet të mbyllemi në qorrsokakun ku janë djegur llambat me kohë. Gratë muslimane nuk janë vetëm arabe apo turke. Muslimanët jetojnë në çdo cep ndaj dhe është jo e ndershme me i reduktu në dy kombe.

Zanë, përkundër fatkeqësive njerëzore; duhet me pranu se gruaja ka të drejt me e mbulu ose zbulu kokën; duhesh me pranu sidomos ti që ke merak me u zhvesh që shoqet tona kanë të drejt po aq sa ne me u vesh, biles me u vesh si t’kenë qejf. Gratë muslimane nuk janë as ma pak e as ma shumë të mira se sa gratë e tjera që përditë luftojnë me botën e padrejtësive; me botën e shtresëzimeve sociale; me botën e korrupsionit e të presionit; me burrat e ligë e me gratë e djallëzuara! Gratë muslimane as janë më shumë e as më pak të virtytshme për shkak të shamisë që mbartin në kokë! Shamia e tyre është lidhja e tyre me Krijuesin; lidhje kjo që s’ka pse me u njollos me ofendime e as ndërhyrje prej teje e prej meje. Ato e dijnë pse e kanë vu shaminë; edhe e dijnë se si e mbajnë. Për aq kohë sa shamija është zgjidhja e gruas (aniqë ty Zanë të pëlqen me bo zhurmë me shamitë që kinse nuk vihen me dëshirë po me dhunë) ti s’ke pse më fërfëllu, bile-bile kish qenë mirë me i përkrah ato gra mendjehapura që nxënien e dijes e kanë prioritet jetësor, pavarësisht rrobave.

Zanë, ata që e kanë humb të brendshmen, ekspozojnë përditë të jashtmen. Nuk është kohë debatesh boshe; po jetojmë Kohën e njeriut që ka nevoje për njeriun, dhe jo për intelektualin e rremë e feministen e paqenë. Numërohen me gishtat e një dore feminsitet shqiptare, që zbardhin netët në kërkim-thellim të dijes; ato feministet e vërteta, të cilat emrin dhe mbiemrin e shkruajnë me germa të vockla, sepse punët e tyre i tejkalojnë kufijtë e varfër të mentalitetit. Madje këto gra nuk kanë nevojë të quhen feministe. Mbi të gjitha janë gra të ndrittura që lejnë gjurmë në botë me urtësinë, etjen për dituri, vullnetin për punë dhe durimin. Të tilla gra, edhe mund të kenë problem me identitetin e tyre, se fundja njeriu është në udhë për t’u vetnjohur përjetësisht, por asnjëherë nuk përdorin tjetrin; padijen e tjetrit; fatkeqësinë e tjetrit për të fituar famë e pushtet. Gratë dhe burrat zemërgjerë, Botën e kanë ndrru duke e njohur dhe ndrruar vetën! /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne