Gazetari i njohur Gjergji Thanasi ka bërë një postim ironik dhe provokues në rrjetet sociale lidhur me praninë e muxhahedinëve në Shqipëri. Në reagimin e tij, ai ka shpërndarë një foto të shkrepur mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:45, në pastiçerinë “Le Bon”, pranë zonës së Zogut të Zi në Tiranë.
“Meqë shokët e anti-terrorit e kanë inat kur mileti i fotografon këto krijesa rrugëve të Tiranës dhe Durrësit, unë, për kunj, po e publikoj këtë foto,” shkruan Thanasi në postimin e tij.
Ky reagim duket se shigjeton praninë dhe lëvizjet e muxhahedinëve në hapësira publike në Shqipëri, një çështje që ka nxitur debate dhe polemika të gjera në opinionin publik. Thanasi, i njohur për qëndrimet e tij kritike, vijon të ngrejë pikëpyetje mbi veprimtarinë e këtyre grupeve dhe trajtimin që iu bëhet nga institucionet e sigurisë në vend.
Postimi i tij është pasuar me komente dhe reagime të shumta nga qytetarët, disa prej të cilëve e mbështesin ironinë e tij, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë sqarime dhe masa nga autoritetet.
Kjo nuk është hera e parë që Gjergji Thanasi ngre shqetësime mbi këtë temë, duke mbajtur qëndrime të drejtpërdrejta për çështje që lidhen me sigurinë dhe jetën publike në vend./gazetaimpakt