Myftiut dhe akademikut Muamer Zukorliqit nga Sanxhaku

Av. Faik MIFTARI

(Post mortum) 

         Sot me nderime më të larta fetare e qytetare u varros në fshatin e tij të lindjes Orle të Sanxhaku, myftiu, akademiku, politikani dhe deputeti Muamer  ef. Zukorliqi. Para varrimit në fshatin e lindjes  namazi i xhenazes u fal në sheshin e Gazi Isa beut në Novi Pazar në praninë të mijëra qytetarëve të ardhur jo vetëm nga Sanxhaku, por edhe nga Bosnja, Kosova, Maqedonia, dhe diaspora.

          Me  myftiun,  akademikun  dhe politikanin Muamer Zukorliqit pata rast të takohem dy herë “live”, herën e parë gjatë vizitës sime  Universitetit Internacional të Novi Pazarit, dhe herën e dytë në Prizren gjatë  mbajtjes së një ligjërate në shtëpinë e kulturës në Prizren.

Me rastin e vizitës sime në Novi Pazar në dhjetor të vitit 2013,  përveç tjerash ishte privilegj të takohem  me myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliçin, lider karizmatik, udhëheqës shpirtëror dhe nacional i boshnjakëve të Sanxhakut. Në kërkesën time për të  aranzhuar një takim me myftiun e Sanxhakut Muamer ef. Zukorliçin, rektori Mevlud ef. Dudiqi , tani myftiu aktual i Sanxhakut, e mori në telefonin myftiun, pas së cilës  mori konfirmim se  do të ndaj nga koha e tij e çmuar  për të na takuar. Na priti ngrohtësisht dhe përzemërsisht si e ka pas zakon,  biseduam gjerë e gjatë për tema aktuale të rëndësishme të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, e për këtë shkrim post mortum do të ceki bisedën në pika të shkurtra që patëm lidhur me çështjen shqiptare dhe raportet tona me boshnjakët.

“Pas luftërave shkatërrimtare në ish Jugosllavi, trojet etnike ku jetojnë boshnjakët dhe shqiptarët kanë vazhduar  tkurrjen e tyre, ashtu që tani kemi një realitet  të ri gjeografik. Në Bosnjë e Hercegovinë  tani kemi një oazë boshnjake (rajoni i Bihaqit) i ndarë nga trungu  qendror boshnjak në Sarajevë. Sanxhaku si rajon i veçantë i ndarë, nga qendra në Sarajevë, si rezultat i krijimit të Republika Sërpskës, si dhe  i ndarë edhe  me veriun e Kosovës, si rezultat i krijimit të Asociacionit serb të komunave, me të cilin populli boshnjak i Sanxhakut  është ndarë  tani edhe me popullin shqiptar të Kosovës. Ndoshta në një të ardhme afatshkurtër kjo nuk paraqet ndonjë rrezik të madh, por në planin afatgjatë do të ketë rrjedhoja të papara për shkak edhe të migrimeve të shumta për shkaqe ekonomike për të gjetur punë në Evropë. Boshnjakët në përgjithësi dhe Sanxhaku në veçanti, duhet të krijojnë  një bashkëpunim më të mire me shqiptarët e Kosovës  në të gjitha aspektet, si në atë politike, kulturore, fetare, ekonomike,etj., pasi që neve na bashkojnë tre faktor parësor, sikurse boshnjakët ashtu edhe shqiptarët kanë prejardhjen e përbashkët ilire,  boshnjakët ashtu edhe shqiptarët janë popuj autokton në Ballkan qindra vite para ardhjes së sllavëve në Ballkan, dhe së treti shqiptarët dhe boshnjakët janë të vetmit popujt me shumicë myslimane në Evropë.

Për të qenë në ballë të popullit për të udhëhequr gjatë këtyre proceseve historike gjatë periudhës nëpër të cilët kalojnë, duhet të jenë në krye të saj njerëz guximtar, pasi që politika nuk duron politikanë që nuk kanë guxim për të qëndruar dhe vepruar në kthesa historike, dhe se me asnjë çmim nuk  përkunden apo joshen me çfarëdo privilegje të ofruara. Myftiu Zukorliq  e mori shembullin e sakrificës së Adem Jasharit, i cili me familjen e tij në tri breza me shokët e tij nuk u tërhoq, por luftoi me një guxim të paparë për të mbrojtur pragun  e vet shekullor, dhe u bë kurban për lirinë e popullit të vet, që tani populli shqiptar e gëzon këtë liri në saje edhe të trimërisë  dhe rezistencës luftarake të krye dëshmorit të Kosovës, Adem Jasharit. Këtë detyrë mund të realizojnë vetëm lider me ideale të larta, me guxim të paparë dhe të palëkundur në realizimin e synimeve politike të popullit të tyre”.

Në këtë shkrim do të citojë deklaratën e një serbi, të quajtur Zoka,  për personalitetin e myftiut Zukorliç, për të cilin nuk kam tjetër çka të shtojë, pasi e ka përshkruar myftiun në kuptim të plotë të fjalës që ka qenë. Zoka, përveç tjerash ka thënë: “ Në mbrëmjen e donatorëve me boshnjakët e diasporës së Sanxhakut në Frankfurt, myftiu Zukorliç për ndërtimin e Qendrës Kulturore Islame” Kapija e Peshterit” në Duga Poljanë dhe renovimin e një xhamie në Novi Pazar, arriti të tubojë 733.000 Euro vetëm për një natë, e cila në ditët në vijim arriti shumën 1 milion Euro.  Këtë as Obama nuk do të kishte arrit të tubojë, por e arriti myftiu.  Për atë, myftiu ju pengon, për atë  njerëzit e donë, është autoritet, është karizmatik, është orator, di  të flas bukur, i cili di çka do, dhe di për çfarë lufton. Të tjerët  nuk dinë ç’të bëjnë, por ju mbetet të merren dhe vetëm të sulmojnë  myftiun. Të mjerët dhe të pafuqishëm janë të gjithë ata. Ju pengon, me të vërtetë ju pengon, është i popullarizuar, i fortë, guximtar, më i mençur se të tjerë, ka synimin, ka cakun e vet që do të arrijë. Pashë nënën time, ai është mbret me shtatë yje”.

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për ish myftiun, akademikun dhe politikanin boshnjak me prejardhje ilire nga Novi Pazari i Sanxhakut do të përmbyllja me fjalët: Muamer efendi Zukorliq,  ike herët nga kjo botë e përkohshme për në botën e përhershme,  por me kontributin tënd 30 vjeçar në aspektin fetar, kombëtar e politik  ke lënë gjurmë të përhershme në historinë  jo vetëm të popullit boshnjak,  por do të mbetesh përherë i shënuar si personalitet  edhe në historinë më të gjerë ndërkombëtare. Shpirti yt rahmet pastë. Lus Allahun Fuqiplotë të të shpërblejë me xhenet firdevs. Amin!

07.11.2021                                                        

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne