Përgjigje ndaj dhënies së lejes së Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor(DUPH) të Komunës së Prizrenit

   Av. Faik MIFTARI   

Me 13 tetor 2010 si përfaqësues i autorizuar i banorëve të  rrugës Ardian Zurnagjiu që po kundërshtojnë ndërtimin e objektit afarist – banesor shumëkatësh në rrugën e tyre, kam parashtruar kërkesën për dhënien e dokumentacionit lidhur me vendimin  e lejes ndërtimore për ndërtimin e Objektit për banim kolektiv, afarizëm dhe administratë me etazhitet 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu.

 

Edhe pse sipas Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative Nr. 05/L-031 në kuptim të nenit 92 par. 2 në afat kohor prej 5 ditësh organi publik, DUPH-ja ka qenë e obliguar të dorëzoj të gjitha shkresat e lëndës në fjalë, tek pas 15 ditësh jam ftuar në DUPH për të marr dokumentacionit me  vendimin për lëshimin e lejes ndërtimore , e cila leje është dhënë me datë 12.10.2021, dhe deri në ditën e sotshme akoma nuk është publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit.

 

Nga informimi i gjerë të nënshkruar nga Shpresa Osmanollaj-Krapi inxh. e dipl. e ark., do të ndalem vetëm në disa konkluzione, pasi që lidhur me dhënien e lejes ndërtimore do të parashtrojmë ankesë  pranë Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, për të gjitha shkeljet thelbësore të dispozitave të procedurës administrative, aplikimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimin e gabuar të drejtës materiale ndaj vendimit për dhënien  e lejes ndërtimore  nga Drejtoria për Urbanizimi dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit për ndërtimin e objektit afarist-banesor me etazhitet 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu në Prizren.

 

DUPH-ja thekson se ka vepruar konform Ligjit Nr. 02/L-88 për  Trashëgiminë  Kulturore në kuptim të nenit 6 par. 6.4 ku ceket:”Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë  mbrojtjes mund të zgjerohet ose të ngushtohet dhe përcaktohet në planin e Institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për Planifikim Hapësinore”.

 

Duhet t’ia përkujtojë  drejtorit Beni Kizolli,  bashkëpunëtores profesionale Shpresa Osmanollaj-Krapi edhe  juristit Muhamet Kurtaj se  Ligji nr. 2003/14 për Planifikim Hapësinor është inekzistent, pasi është shfuqizuar me datë 31 korrik 2013 me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Planifikim Hapësinore Nr. 04/L-174 në të cilin në nenin 18 par. 2 theksohet: Sipërfaqja e mbrojtur përbëhet nga perimetri vend-shtrirjes, të shpallur nën mbrojtje shtetërore dhe të zonës së mbrojtur të mjedisit rrethues me radius pesëdhjetë (50) apo njëqind (100) metra nga perimetri.”

 

         Poashtu edhe tek Harta Zonale e Komunës së Prizrenit, 2020-2028, në faqen 65  tek kapitulli 7.1.2 Trashëgimia Arkitekturore theksohet: “Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit”. Në listën e monumenteve të  trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme në komunën e Prizrenit gjenden 104 monumente arkitekturore, në mesin e të cilave janë edhe Ndërtesa e Armatës, shtëpia e Jonuz Agallarit dhe shtëpia e familjes Shpejti. Në fund të këtij kapitulli 7.1.2 Trashëgimia Arkitekturore ceket se “Në këtë zonë vlejnë të gjitha dispozitat e parashikuara sipas Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore. Sa për të përkujtuar,  nenit 6 par. 6.4 i këtij Ligji decidivisht thekson: ”Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes që është 50 metra nga perimetri i monumentit”.

 

Në perimetrin më pak se 50 metra në Regjistrin e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të përkohshme 2020-2021 nuk gjendet  shtëpia e familjes Shpejti  me nr. 3407 në distancë nga perimetri mbrojtës prej 54,96 metra, por gjenden ndërtesa e Armatës me numër  428 në distancë prej 38,22 metra dhe shtëpia e Jonuz Agallarit  me numër 535në distancë prej 48,96 metra nga zona rrethuese e mjedisit  të mbrojtur me radius prej 50 metra nga perimetri i monumentit. Pse këto dy objekte nuk i kanë cekë në informimin e gjerë të DUHPH-së,e dinë shumë mirë drejtori Beni Kizolli, bashkëpunëtorja profesionale Shpresa Osmanollaj dhe juristi Muhamet Kurtaj, pasi që pikërisht vetëm ky element i fshehur nga ata për këto dy objekte, e bën të kundërligjshëm vendimin e DUPH-së për lëshimin e lejes ndërtimore për objektin afarist-ndërtimore 2B+P+5 në rr. Ardian Zurnagjiu.

 

DUPH-ja më tutje thekson se pasi që për këtë lagje nuk ka Plan rregullues urban, organi i shkallës së parë duhet të vendos në bazë të nenit 18 të Ligjit për ndërtim. Kjo qëndron, është e vërtetët , por DUPH-ja ndalet vetëm tek neni 18, por nuk merr për bazë më tutje nenin 4 par.1 nënpar.1.2 i po këtij Ligji  i cili cek se lëshimi i lejes ndërtimore duhet të: “zbatohet në pajtueshmëri të plotë, përveç tjerash, edhe në parimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, si dhe nenin 21 par.1 i po këtij Ligji i cili cek:” Leja ndërtimore lëshohet nëse dokumentacioni ndërtimor përgatitet në pajtueshmëri me kushtet ndërtimore dhe në pajtim me dispozitat e këtij ligji, Kodit si dhe ligjit mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke përfshirë edhe zonat e veçanta të mbrojtura”. DUPH-ja fare nuk e ka përfill edhe aktin nënligjor, Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. 08/2017  në të cilin në nenin 6 theksohet:”zonat dhe sipërfaqet e mbrojtura përfshijnë perimetrin e vend shtrirjes së monumentit  të trashëgimisë kulturore të përcaktuar për mbrojtje dhe zonës mbrojtëse të tij në radius prej 50m(për trashëgiminë  arkitekturore) dhe 100 m për trashëgiminë arkeologjike nga perimetri i tij”.  Poashtu, më tutje në nenin 6 par.1 të po këtij UA nr. 08/2017 theksohet se:“nuk lejohet ndërtimi i ndërtesave më të larta dhe atyre që nuk janë në harmoni me ndërtesat ekzistuese fqinje”.

 

DUPH-ja në vend se vendimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit me Nr. A-119/20 të datës 05.10.2020 ta kundërshtojë si të kundërligjshëm  nëpërmes inicimit të padisë për konflikt administrativ pran Gjykatës Themelore në Prishtinë,  ajo e mirëpret dhe përveç saj në vendimin e lëshuar për leje ndërtimi thirret edhe në kuptim të këtij vendimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

 

Në arsyetimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit theksohet se: “rekomandimi i Institutit të Kosovës për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nuk është thirr në asnjë dispozitë ligjore për Qendrën Historike të Prizrenit”. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po dinë të dallojë se objekti për të cilin është kërkuar leja  nuk gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, dhe Instituti nuk ka mundur të thirret në atë pasi nuk gjendet atyr, por gjendet mu pranë Qendrës Historike të Prizrenit në një perimetër më të vogël se 50 m nga qendra e mbrojtur.

 

Arsyetimi tjetër kundërthënës ndaj arsyetimit të lartcekur  dhe kundërligjor i Ministrisë së  Ekonomisë dhe Ambientit ishte se:”parcela kadastrale për të cilin kërkohet ndërtimi, nuk gjendet në zonën historike të Prizrenit dhe nuk ka plan rregullues Urban për këtë lagje, atëherë organi i shkallës së parë duhet të vendos në bazë të nenit 18 të Ligjit për ndërtim Nr. 04/L-110”. Por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk cek se duhet vendosur edhe në bazë të nenit 4 par. 1 nënpar. 1.2  dhe nenin 21 par. 1 i po këtij Ligji për ndërtim, i cili parasheh  mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonat e veçanta të mbrojtur.

 

Në përmbyllje të kësaj përgjigje, opinioni i gjerë publik, e veçanërisht qytetarët e Prizrenit, e sidomos ekspertët e fushave përkatëse lidhur me çështjen në fjalë do të dinë të vlerësojnë vet se lëshimi i lejes ndërtimore nga ana e DUPH-së së Komunës së Prizrenit për ndërtimin e objektit afarist-banesor me etazhitet 2B+P+5  është i kundërligjshëm në kuptim të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonat e veçanta të mbrojtur.

 

Në fund në konkludimin e Beni Kizollit se:”Prizreni me hartën zonale njëherë e përgjithmonë do të mbrohet”, do t’i kundër përgjigjesha, a thua me këtë vendim për lejen, Beni Kizolli po e mbron trashëgimin kulturore të Prizrenit?

 

29.10.2021                                                       

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne