Opinion

NATO, aleanca më e suksesshme në histori?

Nga Aleksandër Karpushin, Ambasador i Rusisë në Shqipëri

NATO, aleanca më e suksesshme në histori?

Teza në titullin e këtij artikulli është slogani kryesor i NATO-s, i cili dëgjohet veçanërisht shpesh në lidhje me 70-vjetorin e Aleancës. Por, çdo sukses duhet gjykuar mbi bazën e rezultateve konkrete. Deri më sot, pavarësisht zhurmës propagandistike për “arritje” të panumërta, Aleanca e Atlantikut të Veriut në të vërtetë vetëm sa ka përmbushur destinacionin e saj fillestar: “to keep Americans in, Germans down and Russians out”, siç e formuloi dikur Sekretari i parë i Përgjithshëm i bllokut Lord Hastings Ismay. Megjithëse vendet e NATO-s e paraqesin veten si fitues në luftën e ftohtë, përfundimi i kësaj të fundit do të ishte i pamundur pa një dakordësi parimore të BRSS për bashkimin e Gjermanisë dhe pa përpjekjet e Moskës për reduktimin e armatimeve dhe kapërcimin e pasojave të tjera të konfrontimit midis dy blloqeve. Në të njëjtën kohë, premtimi i dhënë Rusisë prej Perëndimit për moszgjerimin e NATO-s drejt lindjes nuk u përmbush.

Aventurat ushtarake të NATO-s në Libi dhe Jugosllavi, fushata e pasuksesshme shumëvjeçare në Afganistan shkaktuan viktima të shumta mes popullsisë civile, shkatërrimin e infrastrukturës, shpërbërjen e shteteve dhe shkeljet më flagrante të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Vështirë se mund t’i quash këto sukses. Nëse para viteve 1990 veprimtaria e NATO-s mund të justifikohej për shkak të rivalitetit të saj me Organizatën e Traktatit të Varshavës, sot blloku thjesht e ka humbur kuptimin e ekzistencës. Udhëheqësit e tij e kanë të vështirë të shpjegojnë se përse ai është i nevojshëm. Paaftësia për t’i gjetur Aleancës një përdorim më të denjë çoi në vendimin për ta kthyer atë tek “rrënjët” e saj, pra tek konsolidimi i vendeve perëndimore përballë një kërcënimi të përbashkët imagjinar.

Le t’i shqyrtojmë me radhë tezat kryesore të Aleancës.

  1. NATO-ja është një aleancë ekskluzivisht mbrojtëse.

Ky pohim hidhet poshtë nga pjesëmarrja e Aleancës në veprime agresive kundër Jugosllavisë dhe Libisë. Potenciali i përbashkët më i fuqishëm ushtarak tek vendet e NATO-s, por edhe retorika dhe veprimet konfrontuese ndaj Rusisë nuk na lejojnë t’u besojmë deklaratave rreth natyrës mbrojtëse të Aleancës.

  1. NATO-ja është burim legjitimiteti

Përpjekja për të zëvendësuar të drejtën ndërkombëtare me “legjitimitetin e NATO-s” është një nga arsyet kryesore të krizës së sotme të sigurisë evropiane. Dikur udhëheqësit e Aleancës e formuluan këtë parim kështu: “Vetëm NATO-ja është burim i atij legjitimiteti politik dhe fuqie ushtarake, të cilën asnjë shtet apo koalicion nuk mund ta sigurojë” (Sekretari i Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen, Uashington, më 19 mars 2014). Kjo logjikë arrogante ilustron në mënyrë të përsosur linjën e përgjithshme të Perëndimit për të minuar rolin qendror të OKB-së dhe Këshillit të saj të Sigurimit në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare.

  1. NATO-ja synon të përballojë kërcënimet në të gjitha drejtimet.

Para pak kohësh, pas një serie sulmesh terroriste në Evropë, terrorizmi ndërkombëtar u shpall kërcënimi kryesor për sigurinë, ndërsa NATO-ja shprehu gatishmërinë për të bërë gjithçka është e mundur për ta çrrënjosur atë. Por tani, në vend të parandalimit të këtij rreziku real, anëtarët evropianë të NATO-s, duke iu nënshtruar presionit të Uashingtonit, janë të detyruar të marrin masa kundër një kërcënimi inekzistent “konvencional”. Fokusi i NATO-s është tek lufta kundër “kërcënimit nga Lindja”, pranë kufijve rusë janë vendosur trupa, po modernizohet infrastruktura ushtarake, zhvillohen stërvitje në shkallë të gjerë. Në vitin 2018 gjatë stërvitjes “Trident Junction” mbi 50 mijë ushtarë kanë bërë ushtrime ofensive dhe të mbrojtjes në kushtet e temperaturave të ulëta. Në “krahun jugor” nuk ndodh asnjë gjë e tillë.

  1. Përgatitjet ushtarake të vendeve të NATO-s nuk janë të drejtuara kundër Rusisë.

Prioriteti i Aleancës është “krahu lindor”. Është intensifikuar veprimtaria e saj në rajonet e Detit Baltik dhe Detit të Zi, por edhe në zonën arktike. Po rritet intensiteti dhe shkalla e stërvitjeve ushtarake, ku marrin pjesë mbartës të armëve bërthamore, përfshirë edhe ata strategjikë. Në rajonet në kufi me Rusinë është dislokuar një forcë e përparuar prej 10-12 mijë vetësh, duke përfshirë edhe një kontigjent ushtarak shqiptar në Letoni. Aktualisht numri i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendeve-anëtare të Aleancës arrin në më shumë se 3 milionë njerëz. Masat ushtarake shoqërohen me presion në fushën ekonomike, me propagandë antiruse, me dëbime të diplomatëve, etj. Me fjalë të tjera, po krijohet një bazë për një presion afatgjatë psikologjik dhe ushtarak ndaj vendit tonë.

Deklaratat e udhëheqësve të NATO-s se “Aleanca nuk kërkon konfrontim me Rusinë” nuk duken shumë bindëse. Një konfirmim i sinqeritetit të këtyre pohimeve mund të ishte kalimi në rrafsh juridik i angazhimeve politike në kuadër të OSBE-së për krijimin e një hapësire të vetme dhe të pandashme të sigurisë. Megjithatë, nisma ruse për nënshkrimin e Traktatit për Sigurinë Evropiane, siç dihet, u refuzua nga vendet e bllokut.

  1. Masat ushtarake të vendeve të NATO-s në krahun lindor janë shkaktuar nga ngjarjet e vitit 2014 në Ukrainë dhe në Krime.

Linja e Perëndimit për prishjen e rendit juridiko-ndërkombëtar ka nisur shumë kohë përpara krizës në Ukrainë. Bëhet fjalë për avancimin e NATO-s në drejtim të kufijve të Rusisë, krijimin e segmentit evropian të sistemit global të mbrojtjes antiraketore të SHBA-ve, pjesëmarrjen e vendeve jo-bërthamore në stërvitjet bërthamore nën udhëheqjen e NATO-s, etj. Vendet e NATO-s nuk mbështetën asnjë nga nismat e Rusisë për të krijuar një hapësirë të vetme dhe të pandashme të sigurisë në Evropë. Ndërkohë që goditja më e fortë për stabilitetin strategjik erdhi shumë kohë përpara jo vetëm ngjarjeve në Ukrainë, por edhe atyre në Gjeorgji. Që në vitin 2002, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga Traktati për Kufizimin e Sistemeve të Mbrojtjes Antiraketore. Kriza në Ukrainë dhe “kërcënimi” i sajuar rus përdoren sot vetëm si justifikim për militarizimin e Evropës në kurriz të vetë taksapaguesve evropianë.

  1. NATO-ja projekton stabilitet në rajonet fqinje.

Në fillim vendet e NATO-s krijojnë probleme dhe më pas “ndihmojnë” për zgjidhjen e tyre. “Al Kaida” u krijua dikur për shkak se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur muxhahedinët për qëllimet e tyre afatshkurtra në Afganistan (“luftëtari i lirisë” Osama bin Laden më pas u kthye në “terroristin Nr. 1”). Rezultat i pushtimit të Irakut ka qenë krijimi i ISIS-it. Operacioni në Libi ka vendosur vendin në prag të kolapsit, duke ashpërsuar krizën e migracionit.

  1. Zgjerimi i NATO-s ka forcuar sigurinë në Evropë.

Zgjerimi i Aleancës në lindje është një nga shkaqet më të dukshme të krizës aktuale të sigurisë evropiane. Një alternativë më e mirë mund të ishte zbatimi i konceptit të një Evrope të bashkuar, pa vija ndarëse, parametrat e së cilës u parashtruan në Kartën për një Evropë të Re të vitit 1990. Megjithatë, në vend të saj u zgjodh strategjia e zgjerimit të zonës së ndikimit ekskluziv të Perëndimit nën “ombrellën” ushtarako-politike të NATO-s.

  1. Zgjerimi i NATO-s forcon stabilitetin dhe sigurinë në rajonet pranë kufijve të Rusisë.

Për shumë vite na kanë siguruar se anëtarësimi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në NATO do të përmirësojë marrëdhëniet e tyre me Moskën, duke krijuar një “brez” shtetesh miqësore ndaj Rusisë. Këto deklarata rezultuan një mit. Përkundrazi, tani bërthama e politikës së sigurisë të këtyre vendeve është teza për domosdoshmërinë e mbrojtjes së tyre të veçantë. Në Perëndim kanë harruar se ishte Rusia ajo që dha një kontribut vendimtar në eliminimin e trashëgimisë materiale të luftës së ftohtë. Ishte pikërisht Rusia ajo që demilitarizoi Evropën Lindore duke tërhequr prej andej trupat e saj dhe duke dhënë një kontribut përcaktues në forcimin e sigurisë evropiane. Çfarë po bën NATO-ja sot? Ajo vetëm sa po rrit praninë ushtarake në këtë rajon.

  1. Zgjedhja e lirë e vendeve në favor të anëtarësimit në NATO nuk mund të quhet provokim.

Në mungesë të një kërcënimi ushtarak ndaj vendeve të Evropës Lindore dhe Ballkanit, anëtarësimi i tyre në NATO nuk mund të shihet ndryshe veçse si një zgjerim i zonës së ndikimit politiko-ushtarak të Aleancës. Në territorin e vendeve të reja anëtare po ndërtohet infrastruktura e projektuar për vendosjen e potencialeve ushtarake të drejtuara kundër Rusisë. Interesat jetike të vendit tonë janë nëpërkëmbur në mënyrë më flagrante. Ky është një provokim i pastër.

  1. Anëtarësimi në NATO është një zgjedhje e lirë e vendeve.

Siç e dimë, në të vërtetë po ndodh tërheqja e vendeve të reja në NATO. Ky ishte rasti me Malin e Zi, ku opinioni i qytetarëve nuk u mor parasysh, apo me Maqedoninë e Veriut, ku janë injoruar rezultatet e referendumit kombëtar. Kriteri kyç për pranimin në NATO të anëtarëve të rinj ka qenë dhe mbetet arsyeja politike.

  1. Rusia kërcënon sigurinë e anëtarëve “në vijën e frontit” të NATO-s.

Siguria e vendeve pranë “vijës së frontit” është e kërcënuar më shumë nga vetë këto vende. Janë bërë të rregullta incidente për shkak të aktivitetit ushtarak tepër të lartë në territoret e tyre. Ushtarët e NATO-s përfshihen në aksidente, shkaktojnë përleshje dhe potere në gjendje të dehur, lëshojnë gabimisht raketa luftarake, siç ndodhi në Estoni në gusht 2018.

  1. Rusia nuk njofton dhe nuk fton vëzhgues të huaj në stërvitjet e saj.

Rusia është vendi më i verifikueshëm i OSBE-së. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë organizon rregullisht konferenca për shtyp në formate të ndryshme, duke dhënë informacion mbi stërvitjet edhe për atashetë e huaj ushtarakë në Moskë. Vetëm në vitin 2018 janë mbajtur 15 konferenca për shtyp në platforma të ndryshme në Moskë, Bruksel dhe Vjenë. Në manovrat “Vostok 2018” ishin ftuar rreth 100 atashe ushtarakë duke përfshirë edhe një përfaqësues nga Misioni Ushtarak i Komunikimit i NATO-s në Moskë.

  1. Kërcënimet në rritje ndaj sigurisë kërkojnë nga vendet-anëtare rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Nuk ka asnjë justifikim të arsyeshëm që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake. Në vitin 2018 shpenzimet e përgjithshme ushtarake të vendeve të NATO-s arritën në më shumë se 1 trilion dollarë, duke e tejkaluar 22 herë buxhetin rus të mbrojtjes (46 miliardë dollarë). Pritet që deri në vitin 2020, shpenzimet e vendeve evropiane dhe të Kanadasë të rriten me 100 miliardë dollarë. Anëtarët evropianë të Aleancës do të duhet të zbatojnë programe të shtrenjta të riarmatimit, kryesisht me prodhimet e industrisë ushtarake të SHBA-së. Në Rusi, në dallim nga vendet e NATO-s, shpenzimet e mbrojtjes po reduktohen.

  1. NATO-ja është bashkësia më e madhe e demokracive.

Vendet e NATO-s kanë shkelur në mënyrë të përsëritur të drejtën ndërkombëtare, si gjatë aventurave ushtarake në Jugosllavi, Libi, Irak apo Afganistan, ashtu edhe nëpërmjet ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane, siç ishte rasti në Ukrainë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku situata degradoi deri në ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Ambasadës Amerikane në Shkup në procedurën e votimit në parlament. Vendet e NATO-s janë aktive në përpjekjet e tyre për të zëvendësuar normat ligjore me njëfarë rregullash që ato vetë i kanë shpikur (rules-based order). Për më tepër, vendet e NATO-s nuk ndjekin penalisht qytetarët e tyre që janë përgjegjës për krime të kryera gjatë fushatave ushtarake të Aleancës.

  1. NATO-ja është e interesuar për një dialog me Rusinë.

Në vitin 2014 me iniciativë të Aleancës u nderpre i gjithë bashkëpunimi praktik, përfshirë edhe shumë projekte të Këshillit Rusi-NATO për Afganistanin dhe luftën kundër terrorizmit. Sot për sot nuk ka ndonjë axhendë pozitive. Në vitin 2016 rifilluan takimet e Këshillit Rusi-NATO në nivel ambasadorësh. Megjithatë, Aleanca vazhdon të shmanget nga diskutimi thelbësor për çështjet e uljes së tensioneve.

OPINIONE