“NATO përpiqet të përdorë hapësirën në fushën e saj ushtarake”

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se janë të shqetësuar nga përpjekjet e NATO-s për të përdorur hapësirën në fushën e saj ushtarake.

Në një takim të Këshillit të Sigurisë, Putin ka vlerësuar aktivitetet ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së.

Putin tha se SHBA i ka dhënë një goditje mekanizmit të kontrollit të armëve duke u tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

“Kërcënimet me vendosjen e modeleve të raketave të INF-së në vende të ndryshme të botës kanë rritur tensionet”, tha Putin.

Ai tërhoqi vëmendjen se NATO ka forcuar infrastrukturën e saj politiko-ushtarake në afërsi të kufijve të vendit të tij.

“Ne jemi të shqetësuar nga përpjekjet e NATO-s për të përdorur hapësirën në fushën e saj ushtarake. Në këto kushte duke analizuar ndryshimet në arenën ndërkombëtare dhe në drejtimin e rezultateve të arritura është e nevojshme që ne të zhvillojmë potencialin tonë në fushën ushtarake”, tha Putin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të mërkurën tha se, “Krahas fushave operacionale ajrore, tokësore, detare dhe kibernetike, kemi vendosur që hapësira të jetë një fushë e re e operacioneve”.

Rusia do të rrisë armët e teknologjisë së lartë

Presidenti i Rusisë Putin po ashtu urdhëroi një rritje të pjesëve të armëve hapësinore, ajrore, lazer dhe atyre hipersonike në shërbim të ushtrisë ruse.

“Duhet të zgjerohet gama e avionëve të inteligjencës pa pilot dhe avionë sulmues, sistemet lazer dhe hipersonike, armët e bazuara në parime të reja fizike si dhe sistemet robotike të afta për të kryer detyra të ndryshme në fushën e betejës”, tha Putin.

Duke vlerësuar se gjendja e sigurisë ndërkombëtare ishte “përkeqësuar kohëve të fundit”, Putin theksoi se ushtria ruse duhet të jetë e gatshme të përballet me sfida të reja.

Putin tha se SHBA duke u tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) kishte përkeqësuar në masë të konsiderueshme sigurinë ndërkombëtare.

“Kërcënimi i përhapjes së raketave të kësaj klase në pjesë të ndryshme të botës ka rritur më tej tensionet në botë”, tha Putin.

Më 2 gusht, SHBA u tërhoq zyrtarisht nga traktati INF, pas një lufte disa mujore midis Moskës dhe Washingtonit. Më vonë, në të njëjtin muaj, SHBA testoi një raketë, të ndaluar më parë nën traktatin.

Traktati u nënshkrua në vitin 1987 nga lideri i atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Ronald Reagan, duke reduktuar mundësitë për një luftë bërthamore në Evropë.

Sipas traktatit, të dy palët në një periudhë prej katër vitesh shkatërruan tërë klasën e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë frikë nga një garë e armëve të reja në mungesë të këtij traktati historik./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne