Kosovë, 34 gra viktima nga burrat në dekadën e fundit

Misioni i OSBE-së ka prezantuar në Prishtinë rezultatet e Anketës mbi “Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë”, në prag të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.

Sipas këtij studimi, gjysma e grave ose 54 për qind që kanë pasur partner thonë se kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner pas moshës 15-vjeçare.

Në tryezën ku u shpalosën të gjeturat e kësaj ankete, ku mori pjesë dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u theksua se vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 1.700 raste të dhunës në familje në Kosovë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braath, tha se në Kosovë 8 për qind e grave kanë mbijetuar nga dhuna fizike ose seksuale nga partnerët e tyre në 12 muajt e fundit, ndërsa një në tre gra ka mbijetuar nga një formë e dhunës që nga mosha 15 vjeç.

Ai theksoi se të dhënat tregojnë se dhuna ndaj grave është një problem global dhe është e zakonshme në rajon.

“Sipas Policisë së Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, ka pasur gjashtë raste të vrasjes së grave, katër prej të cilave kanë ndodhur kur burri ka vrarë gruan. Në dekadën e fundit, 34 gra janë vrarë nga burrat në Kosovë”, theksoi ambasadori Braathu.

Ai tha se ky raport tregon nivele të ulëta të vetëdijes dhe raportimit për dhunën.

Braathu tha se vetëm 2 për qind e grave raportuan në polici rastin më të keq të dhunës së përjetuar nga partnerët aktual dhe se gati gjysma, ose 48 për qind, besojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të mbetet në familje.

Gjithashtu, anketa tregon se vetëm një e treta e grave janë të informuara mirë për shërbimet e ofruara në drejtim të mbrojtjes ndaj viktimave të dhunës në familje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se emancipimi i gruas në Kosovë do të thotë emancipim i tërë shoqërisë, gjithashtu edhe “fuqizim i parimeve të lirisë, barazisë dhe dinjitetit që vlejnë për tërë shoqërinë”.

“Mostra e respodentëve, pyetjet, intervistat, kanë nxjerrë në pah të dhëna që kërkojnë debat e diskutime thelbësore në shoqërinë kosovare. Për më tepër, anketa që po e publikoni sot, nuk bën vetëm konstatimin e gjendjes, por kërkon shkaqet, analizon shkaqet dhe pasojat, si dhe jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen. Po flasim për përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë, për fuqizimin e saj”, tha Thaçi, duke shtuar se “me përkushtimin, njohuritë tona dhe përkrahjen tuaj do të vazhdojmë të ecim përpara deri sa çdo grua e çdo vajzë, të ndjehet e barabartë në shoqërinë tonë”.

Shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, vlerësoi se dhuna në familje është një fenomen global dhe se nuk është e lehtë ta luftosh atë. Sipas saj, është e rëndësishme për shoqërinë kosovare që të krijojë një bazë të dhënash për rastet e dhunës në familje.

Për sondazhin mbi “Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë”, janë intervistuar 1990 gra që jetojnë në Kosovë midis moshës 18 e 74 vjeç, përfshirë 1.690 gra nga komuniteti shqiptar dhe 300 gra që jetonin në zona kryesisht të banuara me shumicë serbe./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne