“Sistemi i kampeve të izoluara në Greqi, shkelje e ligjit”

Këshilli i Refugjatëve në Greqi ka paralajmëruar se me “kampet e izoluara” që qeveria greke do të ndërtojë për të zëvendësuar kampet e emigrantëve që do të mbyllen në ishujt Lesbos, Chios dhe Samos, mund të kufizohen liritë e refugjatëve.

Në një deklaratë me shkrim, Këshilli i Refugjatëve ka tërhequr vëmendjen se me sistemin e kampeve të izoluara ku është e ndaluar dalja jashtë tyre mund të eliminohen liritë e grave dhe fëmijëve pa kryer ndonjë krim dhe të cilët cilësohen si një grup i ndjeshëm.

Sistemi i ri parashikon arrestimin e personave që duan të dalin jashtë kampit dhe kjo është në kundërshtim me ligjin thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se “Vendimi për arrestime pa përjashtime shkel ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar”.

“Kjo praktikë, në vend që të zgjidhë krizën njerëzore në ishujt e Detit Egje do ta thellojë edhe më shumë krizën duke lënë shumë persona përballë situatës së arrestimit”, thuhet në deklaratë.

Qeveria greke ka njoftuar mbylljen e kampeve të refugjatëve në ishujt Lesbos, Chios dhe Samos dhe se kampet do të zëvendësohen me “kampe të izoluara” me një kapacitet deri në 5.000 persona.

Në sistemin e ri do të ndalohet hyrja dhe dalja nga kampet ndërsa ata që nuk do të zbatojnë këtë ndalesë do të arrestohen.

Kryetari i Bashkisë Samos, Yorgos Stancos dhe Bordi i Këshillit të Bashkisë reaguan ndaj këtij vendimi duke vendosur të japin dorëheqje masive./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne