Ndaje mendjen zoti Kryeministër: O me Luftën, o me kolaboracionistët

Xhevdet Shehu

Kryelajmi i ditës së djeshme ishte rivarrimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit në atdhe pas afro 70 vjetësh. Pavarësisht kundërshtimeve për mosnderimin me ceremoni shtetërore të kryetarit të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Edi Rama e bëri të vetën. E nderoi Mit’hatin edhe me pjesëmarrjen edhe me fjalën që mbajti para atyre pak njerëzve të zgjedhur me dorë në ceremoni. Fjala e Kryeministrit të pretenduar si i majtë u dëgjua me vëmendje dhe ishte një panegjirizëm fund e krye për kreun e kolaboracionistëve shqiptarë me pushtuesit fashistë.

Por, sa racional ishte Kryeministri në fjalët që tha?

Po të ishte në rolin e një studiuesi të albanologjisë, një letrar apo publicist, fjalimi i tij do të ishte i justifikuar dhe mund edhe të besohej. Që nuk u besua në ato që tha, ishte fakti se fliste Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste, në programin e së cilës është mbrojtja e vlerave të luftës antifashiste të popullit shqiptar. Pra kemi të bëjmë me një gjest politik për të nderuar një njeri politik. Dhe ajo që lexohet lehtësisht nga kushdo nga ceremonia e djeshme ishte: U nderua ish-kryetari i një force politike bashkëpunuese me nazifashistët, pavarësisht se në rreth 90 për qind të fjalës së tij ai lëvdoi krijimtarinë dhe veprën letrare të Mit’hatit, sikur të ishte një albanolog apo studiues historie, kur e dimë që nuk është i tillë. Mit’hati shkrimtar, studiues dhe albanolog de facto është rehabilituar prej afro 30 vjetësh, por pa ndonjë jehonë kushedi se çë. Gjithsesi ai ka vendin e tij në fondin e kulturës kombëtare, pavarësisht panegjirizmit hiperbolik të ndonjë shqiptari buzëhollë…

Ndërkaq të gjithë e dinë dhe e morën vesh se dje iu ngrit përmendore një bashkëpunëtori të pushtuesve, pra një tradhtie, e jetuar dhe e dokumentuar më së miri dhe kjo është e padyshimtë. Pra përmendorja u ngrit. Pavarësisht se një përmendore fallco. Dhe atë e ngriti Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë!

Mësuam mbrëmë se ndërkohë që mbante fjalimin për Mit’hatin, Edi Ramës i ka mbërritur një mesazh në celular nga një socialist i thekur prej Vlorës, ku i thoshte me nervozizëm ndër të tjera edhe këto fjalë Kryeministrit: “Poshtë fashistët! Poshtë bashkëpunëtorët e vjetër dhe të rinj të fashistëve!…” Mësuam gjithashtu se pas ceremonisë Kryeministri i ka telefonuar këtij socialisti për ta sqaruar se çfarë kishte dashur të thoshte me fjalën e tij.

Mirëpo fjalimi i tij nuk ka nevojë për shpjegime. Fjalimin e tij himnizues për kreun e Ballit, Edi Rama e mbajti para tre vëllezërve Frashëri, midis të cilëve dhe babait të Mit’hatit. Ç’do të thoshnin ata me këtë rast? Nuk e dimë. Por dy vargjet e Naimit janë emblematike dhe na vijnë përnjëherë në mendje:

Mos u bëni tradhëtorë,

Se pastaj do të pendohi!

Se për kë e kishte fjalën Naimi dihet. Për ata shqiptarë që punonin kundër Shqipërisë. Naimi në atë kohë nuk e dinte se Shqipëria një ditë do të pushtohej nga fashizmi dhe një pinjoll i Frashërllinjve të mëdhenj, një nip i tij do të bëhej bashkëpunëtor i tyre dhe do të asgjësonte gjithë punën që kishte bërë më parë dhe që vazhdon të ngjallë interes për paradoksin që paraqet midis fjalës dhe veprës, mes moralizimeve atdhetare dhe akteve politike të kundërta me to. Paradoks më të madh nuk ka se si bëhet e të gjendet. Sido që ta marrësh.

Pse e quaj paradoks? O njerëz, vendosuni në vitet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Ishte viti 1943. Dy shtetet më antikomunistë të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar bënë aleancë me armikun e tyre Bashkimin Sovjetik komunist. Ruzvelti dhe Çërçilli u ulën në tavolinë dhe bënë aleancë me Stalinin, jo me Hitlerin. Ishte një strategji botërore kjo. Mit’hati ynë nuk u ul në tryezë me Enverin dhe t’i thoshte: “Çfarë do bëjmë përballë kësaj të keqeje që na ndodhi si komb?”, por zgjodhi të ulej në tavolinë dhe të bashkëpunonte me Hitlerin.

Pikërisht në këtë bashkëpunim qëndron sa turpi i ballistëve me në krye Mit’hatin, aq dhe revolta e  fitimtarëve të luftës së Dytë Botërore. Pasi e dimë fare mirë edhe faktin se bashkëpunëtorët e nazistëve nuk janë rehabilituar kurrkund.
Edhe ceremonia e djeshme ishte një paradoks fund e krye.

E pyeta dje Rustem Peçin, Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare se ç’mendonte lidhur me nderimet shtetërore që iu bënë Mit’hat Frashërit dhe, ai me qetësinë që e karakterizon tha kështu:

“Nuk më çuditi fare gjesti i Edi Ramës. Ia kemi thënë herë direkt e herë indirekt prej kohësh: Ndaje mendjen Edi Rama! O me luftën antifashiste dhe dëshmorët, o me tradhtarët! Sepse ai prej kohësh i ka kthyer krahët dhe e ka mohuar luftën tonë antifashiste. Ai sot përfundimisht u radhit në anën e të mundurve të historisë dhe nuk ka gojë të flasë më tej për luftën tonë. Nuk e kemi provokuar ne Edi Ramën, është ai që na ka provokuar ne. Me këtë akt ai ia kaloi edhe Sali Berishës, i cili, kur ishte në pushtet, nuk guxoi të bënte këto që po bën Edi Rama. Dje Edi Rama ishte krah për krah me Saliun në nderimin e një tradhtari dhe  bashkëpunëtori të regjur të fashistëve. E pra, ky është neofashizmi që ne kemi denoncuar në vijimësi dhe nuk do të ndalemi asnjëherë duke treguar me gisht tradhtarët e rinj të shqiptarëve. Le të nderojë Edi Rama ballistët dhe të merret me muzera që denigrojnë luftën dhe sakrificat tona, por me ne është ndarë përfundimisht.”

Në fjalimin e tij Edi Rama tha se duhet ta ulin kokën ata që e konsiderojnë nderimin për Mit’hatin “si një provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, bën mirë të ulë kokën…”. Po kështu ai këshilloi të ulin kokat edhe bashkëpunëtorët e Mit’hatit që kanë lyer duart me gjak… Hajde merre vesh një logjikë të tillë prej Mesie që bën Kryeministri.

Që historinë e shkruajnë fitimtarët, kjo dihet. Përndryshe duhet të pranojmë se për ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013, duhet të besojmë jo fitimtarin (Edi Ramën) por të mundurin (Sali Berishën). Mos duhet të nënkuptojmë që Edi Rama t’i ngrejë një përmendore edhe Saliut, meqë dje i pamë të dy të nderonin ish-kreun e ballistëve? Nuk është çudi!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne