Ndërhyrja për Aqif Rakipin/ Edi Rama thërret në zyrë Adriatik Llallën

Një njoftim zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme ka nxjerrë zbuluar kryeministrin Edi Rama që është interesuar personalisht për çështjen e Aqif Rakipit. Rama është vënë në lëvizje menjëherë pas kërkesës së deputetëve të PD për Aqif Rakipin dhe është interesuar për hetimet e prokurorisë, sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Adriatik Llallës.

Në njoftim qartësohet se takimi u zhvillua në kryeministri dhe u kërkua nga kryeministri Edi Rama.

Llalla mësohet t’i ketë thënë Ramës se për Aqif Rakipin ekziston një hetim prej muajsh nga Sektori i Posaçëm i Dekriminalizimit dhe prokurorët janë në pritje të përgjigjes nga autoritetet e huaja.

 

NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISË

 

Prokurori i Përgjithshëm, takim me Kryeministrin për ligjin “Për Dekriminalizimin”

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me kërkesë të kreut të Qeverisë.

Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi.

Z. Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.

Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.

Albi SERANI

KËSHILLTAR PËR MEDIAN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne