Ndërron jetë shtetasi turk i plagosur në sulmin terrorist në Zelandë të Re

Ka ndërruar jetë shtetasi turk, Zekeriya Tuyan, i cili ishte plagosur në sulmet terroriste në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, më 15 mars gjatë namazit të xhumasë ku u vranë të paktën 50 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Tuyan, i cili në sulmin terrorist ishte plagosur në këmbë dhe shpinë ka vdekur sot pas një operacioni.

Vëllai i tij, Yahya Tuyan, në deklaratën për AA, tha se me trishtim kanë pranuar lajmin për vdekjen e vëllait. “Sot ishte operuar, nuk e kanë ndaluar dot gjakderdhjen, e humbëm”, u shpreh ai, duke shtuar se 50 ditë ishte duke luftuar për jetën.

Babai i dy fëmijëve Zekeriya Tuyan, ishte në trajtim mjekësor në spitalin Christchurch.

Kujtojmë se më 15 mars, 50 muslimanë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një terrorist, i identifikuar si Brenton Tarrant, 28 vjeç, i lindur në Australi, hyri në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch dhe hapi zjarr mbi besimtarët muslimanë gjatë namazit të xhumasë, përfshirë 4 fëmijë më të vegjël se 18 vjeç./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne