Në Çanakale, ku luftuan e drejtuan otomanët shqiptarë

Nga Skerdilajd Zaimi

Fotoja në fjalë postohet në Facebook nga një faqe që ka si temë qendrore periudhën e fundit otomane. Epiqendra e fototekës së faqes është Selaniku i fillim shekullit të 20-të, që ngjan të ketë qenë një qytet ottoman me jetë dinamike ekonomike e fetare. Për të qëndruar te fotoja në fjalë ajo postohet nën titullin: Rajoni malazez i Sanxhkut – 1915. Shqiptarë dhe boshnjakë myslimanë që erdhën të regjistrohen për të marrë pjesë në luftën e Çanakalesë. E quajtur edhe si fushata e Galipolit, ajo konsiston në një seri betejash që zgjatën nga 19 shkurti 1915 deri në 9 janar 1916 me përfundime të jashtëzakonshme për të dyja palët.

Në aspektin ushtarak fushata lilkujdoi neutralitetin e Portës së Lartë në Luftën e Parë Botërore, asgjësoi synimet e Antantës për të siguruar kalim në ngushticat turke duke i dhënë dorë situatës strategjike të Aksit.
Në aspektin njerëzor, beteja mori 100 mijë njerëz, shifër që është vënë në diskutim.
Në aspektin politik ajo detyroi një seri lëvizjesh në qeverinë britanike, e akuzuar si përgjegjëse për humbjen dhe mospërmbushjen e objektivave. Galipoli thuhet se kristalizoi një idenitet nacional të Australisë dhe Zelandës së Re duke çuar në krijimin e tyre si shtete të pavaruara nacionale.
Por ndoshta aspekti më ndikues është fakti se beteja katalizoi kalimin epokal të Perandorisë Otomane në një Republikë nën drejtimin e Mustafa Kemalit, me moton: “Çanakaleja nuk kalohet”.
Në kinema dhe television beteja ka marrë vëmendje vitet e fundit: si dokumentar do të veçohej ai i vitit 2005, “Galipoli” me autor Tolga Örnek, që shfrytëzon letra, ditare të ushtarëve të të dyja palëve me përqendrim sidomos te materialet e ANZAC – personelit australiano-zelandez – ku duket se u zhvillua edhe drama më e madhe njerëzore e psikologjike. Si film, “The Water Diviner” i vitit 2014 me protagonist Rusell Crowe dhe Olga Kurylenko.

Përtej këtyre aspekteve identifikuese, pak është folur, ndoshta aspak për kontributin në forcën fitimtare të kësaj beteje: atyre otomane. Fotoja e sjellë vë në dukje pikërisht një kontribut të shqiptarëve në këtë betejë kaq të rëndësishme në një kohë që Shqipëria si shtet formalisht ishte neutrale, por praktikisht inekzistente. E sigurtë është, qoftë edhe përmes këtij dokumenti se shqiptarët në një masë nuk ishin neutralë dhe kjo shpjegon, ose i jep një kontekst historik, por edhe shpjegim, politikave që pasuan mandej ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Qoftë nga fqinjët e veriut si serbët, ashtu edhe nga fuqitë e Antantës.

Në një punim të vitit 2015, me autor Isa Mulaj të “Institute for Economic Policy Research and Analyses” në Prishtinë, me titullin: “Beteja shumëkombëshe e Galipolit: Shfaqja e disa shteteve kombe dhe Prirjet Bashkëkohore e Referimit të saj për Rigrupimin e Kombeve “Fitimtare”, vihet në dukje se personeli otoman ishte në masë të madhe i përbërë nga shqiptarë dhe ballkanas.

Mulaj thekson se tre komandantët kryesorë të Armatës së Pestë Otomane, ishin gjeneralë shqiptarë: Mehmed Esati, Vehib Pasha dhe Mustafa Kemali. Në krye të forcave otomane qëndronte gjenerali “gjerman me origjinë hebreje”, Oto Liman von Sanders, pas tij Mehmed Esat Bulkati nga Janina që drejtonte Korpusin III dhe Atataturku që ishte nën komandën e Mehmed Esatit.

I vetmi komandant i lartë me etni turke ishte Cevat Cobanli që kishte përgjegjësinë për zonën e fortifikuar të Dardaneleve

shkruan Mulaj që shkon më tutje kur vë në dukje se roli i shqiptarëve në këtë teatër lufte nuk ishte rastësor. Madje ai ishte aty i konfirmuar pas një fitoreje mbi mendimin e “otomanëve turq” për rreshtimin në luftë. Shkruan Mulaj:

Lideri i Revolucionit Xhonturk, Enver Pasha, ishte me origjinë shqiptare, që para, gjatë dhe pas betejës ishte ministër i Luftës i Perandorisë Otomane. Në dallim nga otomanët shqiptarë, shumica e otomanëve turq, donin një aleancë me Aleatët. Fitoi alternativa shqiptare, kështu që otomanët e gjetën veten të rreshtuar me Gjermaninë përmes një marrëveshjeje sekrete të firmosur më 30 qershor 1914, vetëm dy ditë pas shpërthimit të Luftës I Botërore

Ai e cilëson personelin ballkanik – kryesisht shqiptarë – si me shumë përvojë dhe i mirëtrajnuar, çka ende sipas tij nuk ka marrë vëmendjen e duhur për të shpjeguar Galipolin nga perspektiva perëndimore, që e ka cilësuar atë edhe “si katastrofë”. Të dhënat e përafërta flasin për rreth 50 000 shqiptarë në atë betejë, shifër që në një vlerësim tjetër zbret në 25 mijë.

Mulaj e vijon punimin e tij me një kronologji të ushtarakëve me origjinë shqiptare në lëvizjet politike turke, që nga Lufta për Pavarësi me pasuesin e Ataturkut, Kazim Koprulu, te kreu i grushtit të shtetit të vitit 1980, Kenan Evren, një shqiptar nga Presheva apo Bujanovci, si dhe vë në dukje edhe një “kontribut të myslimanëve nga Ballkani” në këtë betejë.

Jehona e Kalifatit duket se vazhdon të mobilizojë në këtë kohë, por ajo që intereson këtu janë dy aspekte: heshtja e plotë e historiografisë shqiptare për rolin e shqiptarëve në betejë, roli i besimit fetar, ndikimi i shqiptarëve në gjeopolitikën ndërkombëtare të kohës, rikontektualizimi I betejës për konfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë në dritën e këtij roli të shqiptarëve dhe në fund, zgjerimi i bazës gjenealogjike dhe historike të asaj që mund të quhet përvoja shqiptare e luftës.

Sigurisht përfundimet e prekura nga ky autor kërkojnë verifikim dhe ballafaqim, por me intuitë ne mund të kuptojmë se diçka çalon te pagëzimi nacional i Rilindasve tanë, siç e përcakton atë Historiografia. Është me të vërtetë për të ardhur keq sesi historiografia shqiptare e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë edhe historinë e Pavarësimit, edhe Rilindjen Kombëtare edhe diplomacinë perëndimore dhe atë të Rusisë brenda një konteksti imagjinar të një përballjeje të një populli që do Lirinë dhe fuqive grabitqare cinike me fqinjë shovenë si instrumente agresioni.

Mesa duket problemi shqiptar në Ballkan në ato vite ka qenë diçka shumë më komplekse dhe e gjerë sesa problemi i kufijve të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, pikërisht edhe për shkak të faktit se një pjesë e madhe e elitës shqiptare nuk ka qenë neutrale. Ka qenë protagoniste dhe vendimmarrëse, pra Palë. Zgjerimi i bazës historike të shqyrtimit të ngjarjeve të kohës do të vinte në pikëpyetje hierarkinë me të cilën jemi mësuar të tregojmë ngjarjet e fillim shekullit të 20-të, miqësitë dhe rivalitetet, pa dashur të pranojmë se nuk kemi qenë viktima par excellence.

Nga ana tjetër injorimi gati injorant dhe i lig i përvojës shqiptare të luftës dhe drejtimit të saj në kohën otomane, injorimi i përvojës fetare dhe teologjisë nga shqiptarë të ngritur, ngushtica etnike ku janë futur kontributet e figurave të caktuara që quhen të Rilindjes, e ka gjymtuar keq kuptimin tonë për historinë. Duke na lënë në injorancën e vazhdueshme të miqve dhe armiqve, të keqes dhe të mirës, pa kapur një të vërtetë më të madhe të kohës kur shqiptarët ishin më kozmopolitë sesa i paraqet ata kostumi i historiografisë shqipe./respublica

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne