Një shtetas turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ndaluar nga autoritetet shqiptare në aeroportin e Rinasit, gjatë tentativës për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi u krye nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm në Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe partnerët ndërkombëtarë, pas shkëmbimit të informacionit operacional dhe kontrolleve të shtuara në pikat e hyrjes dhe daljes së vendit.
I ndaluari është identifikuar si Ibrahim Karaoğlu, 67 vjeç, i cili rezulton i kërkuar ndërkombëtarisht për veprat penale “tentativë për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “anëtarësim në organizatë të armatosur terroriste”, sipas legjislacionit penal turk.
NJOFTIMI I POLICISE
Ndalohet nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, një shtetas që kërkohej ndërkombëtarisht, për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste.
Shtetasi turk u ndalua gjatë tentativës për të hyrë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet PKK Rinas.
Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, në Sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Antiterrorit, me partnerët turq, si dhe si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, me objektiv parandalimin e lëvizjes ilegale, të shtetasve në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë në shtetet ku kanë kryer vepra penale, u ndalua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
– Ibrahim Karaoglu, 67 vjeç.

















