Opinion Shqiperia

Në Pashaliman u vodhën vetëm 107 kile armë e municione

NGA GJERGJI THANASI

Vjedhja e armëve në bazën luftarako detare të Pashalimanit, në fillim u përpoq të kalohej nga “Rilindja” e geishave të Ministrisë së Mbrojtjes si një vjedhje e vogël, ordinere e turpshme, por e pazararshme. Faktikisht kemi të bëjmë me një vjedhje të kryer nga një grup i strukturuar kriminal me njohuri të hollësishme për depon e armatimit dhe të gjithë Bazën e Pashalimanit.

Janë vjedhur fishekë blindshpues-djegës të përshtashëm për të depërtuar (pra vrarë e plagosur) cdo jelek antiplumb në përdorim të ushtarakëve (përfshirë edhe ata të BOS-it) dhe policëve shqiptarë (përfshirë edhe jelekët antiplumb gjermanë të RENEA-s). Që të vidhen pikërisht të tillë fishekë në një depo, që ka mbi 300 000 fishekë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme, për armë, brezi, supi dhe armë kolektivekërkon të paktën njohuri minimale përsa i përket mënyrës dhe llojeve të markimit të municioneve të përdorura nga shtetet e ish Traktatit të Varshavës. Vë bast që as atasheu ushtarak amerikan nuk i ka të tilla njohuri! Hajdutët tanë i paskan pasur!!!!!

Imagjinoni një hajdut të vetëm, që vjedh me një dorë armë dhe municine kaba me peshë totale107 Kg!!!!!!!! Kuptohet, që më së paku  vjedhja është kryer nga 3 (tre) hajdutë. Armët dhe municionet e vjedhura janë të shumta, të shumëllojshme të ambalazhuara me disa lloj ambalazhesh, si arka, kuti apo rifuxho, pra të vështira për tu transportuar me duar, apo në krah.

Përkatësisht janë vjedhur:

  1. 2 (dy) automatikë kallashnikovë prodhim kinez me bajonetë shtizë——– 7,4 Kg.
  2. 700 fishekë kalibër 7,62X25 mm për pistoletë Tokarev————— 3,5 Kg
  3. 3691 fishekë kalibër 7,62X39 mm (blindshpues-djegës, prodhim NORINCO)————— 60.1 Kg.
  4. 1000 fishekë kalibër 5,56X45 mm———- 12,3 Kg.
  5. 40 granata dore ofensive kopje kineze (model 59) e sovjetikes RGD 5———–12,4 Kg.
  6. 1 krehër automatiku kallashnikov———-o,33 Kg.
  7. 1 karabinë amerikane M4 (me shinë Pikatini)———- 2,9 Kg
  8. 4 karikatorë për karabinë M4———–0.52 Kg.

Hajdutëve, ndërsa po largoheshin, u kishin rënë përtokë disa  fishekë kalibër 7,62X39 dhe 1 mitroloz i lehtë RPD (prodhim kinez Model  56-1) me peshë 7,4 Kg.

Në një qytet si Vlora plot armë e municione, që nga revolverët italianë Glisenti të Luftës së Parë Botërore deri tek austriakët Glock 26 apo automatikët rusë AK9 me dylbi, pse dreqin këta hajdutët zgjodhën të vjedhin depon në Pashaliman?!?!?!??!?! Kjo është pyetje 1 milion dollarshe!

Le të shpresojmë, që të tjerë hajdutë të mos trimërohen nga vjedhja e kësaj Karabinës amerikane M4, të blerë nga Mrika e Lulzimes dhe të na vjedhin automatikët Beretta ARX 160, që bleu Oketa apo edhe Heckler&Koch të RENEA-s e të BOS-it të Farkës!!!! Jo për ndonjë gjë po aleatët tonë në NATO mund të përbuzin ushtrinë e “rilindur” shqiptare, ushtrinë e “geishave” ministre të Skëndërbeut të Surrelit, si një ushtri, që nuk ruan as armët e veta në depo. Lavdi Zotit, që nga Majko e Gjiknuri te Medi-Gërdeci, te Imam bajalldia madje edhe te Oketa, të tërë janë carë duke shitur raketat kineze të supit tip MANPAD, prodhim kinez të markës QË-1, apo edhe ukrainase IGLLA 16 dhe IGLLA 18. Vërtet lavdi Zotit, se sot do ia kishin vjedhur Oltës në depo. Po ashtu lavdi Zotit, që major Pinari nuk arriti (apo mos ndoshta arriti) t’i sillte në Shqipëri MANPAD-ët iraninaë të markës MISAGH-2?

Le të shpresojmë, që në prag të sezonit të plazhit ushtarakët shqiptarë nën komandën e “geishës” së rradhës t’u futen plazheve cep më  cep duke mbledhur plerat. Fundi i fundit një ushtri, që nuk ruan as depot e municioneve është e përshtatshme vetëm për të dubluar punën e komunales. Fatkeqësisht “geishat” rilindjote janë larg shumë larg nivelit profesional të Xhemal Tafait, njeriut të mirë dhe ministrit të komunales, së kohës së Ramizit./ Gazeta Impakt

 

OPINIONE