Në Shkup shënohet Nata e Beratit

Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, me program që u organizua në xhaminë Mustafa Pasha, u shënua Nata e Beratit, e cila llogaritet si lajmërues për ardhjen e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Programi me rastin e Natës së Beratit në xhaminë Mustafa Pasha të Shkupit u organizua pas faljes së namazit të akshamit, ku u interpretuan ilahi dhe poezi dhe u lexuan pjesë nga Kur’ani.

Në programin e organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë dhe Konsulenca e Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup filloi me leximin e Kur’anit nga imami nga Turqia Yaşar Çuhadar.

Më pas, profesori dhe interpretuesi i ilahive po ashtu nga Turqia, Prof. Dr. Fatih Koca, pasuroi programin me interpretimin e ilahive.

Murat Alkan, Këshilltari i Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, uroi që kjo natë të jetë natë e shpëtimit dhe paqes për botën islame. “Nata e Beratit, siç dihet, do të thotë falje. Nata e Beratit, që është nata e 15-të e muajit Shaban, është natë e shenjtë e cila përmendet edhe në hadithet e profetit tonë”, theksoi Alkan.

Ndryshe, Nata e Beratit konsiderohet nga netët e mëdha në besimin islam dhe shënohet në natën e 15-të të muajit Shaban sipas kalendarit islam, që këtë vit përkon me natën që lidh 10 dhe 11 majin sipas kalendarit gregorian, ndërsa llogaritet lajmërues për ardhjen e muajit të Ramazanit, si dhe natë e pastrimit nga mëkatet, natë e dëshirave dhe e përcaktimit të fatit.

Në vende të ndryshme, kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne