Në Stamboll shënohet përvjetori i masakrës në sheshin Rabia të Kajros

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Vëllazërisë Myslimane (Ihvan), Mahmud Husein, ka deklaruar se 60 mijë njerëz janë burgosur që nga 14 gushti 2013, kur sheshet Rabia dhe Nahda në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, u evakuuan me forcën e armës.

Duke folur në konferencën e zhvilluar në Stamboll me rastin e 6-vjetorit të evakuimit të sheshit Rabia, Husein tha se evakuimi i shesheve Rabia dhe Nahda në historinë moderne Egjiptiane është një masakër kundër njerëzve që kërkuan të drejtat e tyre legjitime.

Ai rikujtoi se asnjë veprim nuk u mor nga Kombet e Bashkuara (OKB) ndaj atyre që kryen masakrën, ndërsa shtoi se pas evakuimit të sheshit Rabia janë burgosur 60 mijë njerëz, ku dhe ndaj tyre janë ngritur padi me akuza të rreme.

Duke theksuar se Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, Muhamed Mursi, ka rënë dëshmor si rezultat i neglizhencës mjekësore, Husein tha se “kjo qasje është një rivalitet i shëmtuar politik dhe një qasje e hakmarrjes imorale”.

Ai ndër të tjera tha se parashikon që administrata e presidentit Abdulfettah es-Sisi nuk do të mund të vazhdojë më shumë për shkak të krizave ekonomike, politike dhe sociale në Egjipt.

Pas largimit me grusht shtet ushtarak të presidentit të parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi, më 3 korrik 2013 kundërshtarët e grushtit të shtetit dhe përkrahësit e legjitimitetit filluan protestën duke u ulur në sheshin Rabia në kryeqytetin Kajro.

Forcat e sigurisë egjiptiane ndërhynë në sheshin Rabia në orën 06.30 të mëngjesit të 14 gushtit 2013 për t‘i dhënë fund protestës, e cila zgjati rreth një muaj e gjysmë.

Gjithashtu pjesë e ndërhyrjes së përbashkët të policisë dhe ushtrisë ishte edhe sheshi Nahda përpara Universitetit të Kajros në anën perëndimore të lumit Nil. Edhe këtu u zhvillua bastisje e njëkohshme.

Në bastisjet që vazhduan deri në mbrëmje u përdorën buldozerë dhe mjete të ndryshme të policisë, ku dhe snaiperët qëlluan disa persona të caktuar.

Në mesin e atyre që u qëlluan nga snajperët është edhe 17-vjeçarja, Esma Biltaxhi, vajza e Dr. Muhammed Biltaxhi, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Liria dhe Drejtësia (HAP), që është krahu politik i Ihvanëve. Në regjistrimet e kamerave duket një person me kapele që shënjestron me një çantë të verdhë vajzën 17-vjeçare, dhe i cili largohet nga zona pasi snajperi tërheq këmbëzën.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë evakuimit të sheshit Rabia humbën jetën 632 persona nga të cilët 6 prej tyre policë, ndërsa janë plagosur rreth 2 mijë njerëz. Gjithashtu po të njëjtën ditë janë arrestuar edhe 800 protestues./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne