Në Tiranë u prezantuan veprat turke të përkthyera në shqip

Aktiviteti për prezantimin e veprave turke të përkthyera në gjuhën shqipe ka mbledhur në Tiranë së bashku shkrimtarë, përkthyes, studiues dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar nën bashkëpunimin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Shtëpisë Botuese ”Fan Noli” dhe Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij, tha se ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, sepse, sipas tij, me anë të veprave letrare dhe filozofike po shikojnë ecjen e përbashkët të turqve dhe shqiptarëve në shekuj, “të cilët kanë ecur gjithmonë së bashku”.

“Ky afrimitet mes dy vendeve është shprehur në shumë fusha. Është shprehur edhe në gjuhën e secilit popull. Bota e mendimit, letërsisë dhe filozofisë së dy vendeve tona është e lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Në turqishten dhe shqipen e sotme të folur ekzistojnë mbi 4500 fjalë të përbashkëta. Po të kemi parasysh shpërndarjen e fjalëve shqipe dhe turke në planin ballkanik, këto fjalë të përbashkëta mund të arrijnë rreth 9000”, tha Yörük.

Sipas ambasadorit turk në Tiranë, kjo pasuri e fjalëve të përbashkëta të dy gjuhëve pasqyrohet dhe në ndjenjat dhe mendimet e dy popujve. “Ka shumë personalitete të njohur shqiptarë të cilët kanë kontribuar në hedhjen e themeleve të mendimit dhe letërsisë turke, si Sami Frashëri që ka shkruar enciklopedinë e parë turke, etj. Kjo lidhje është reciproke dhe është në vazhdim e sipër”, u shpreh Yörük. 

Më tej gjatë fjalës së tij ambasadori Yörük tha: “Qeveria e Turqisë kohët e fundit ka marrë një vendim, ku në të gjitha gjimnazet turke, gjuha shqipe është lëndë me zgjedhje. Unë shpresoj dhe dëshiroj që dhe qeveria shqiptare, në parimin e reciprocitetit të bëjë edhe ajo pjesën e saj që në gjimnazet publike të vendosë gjuhën turke si lëndë me zgjedhje”.

Ndërsa presidenti i Shtëpisë Botuese “Fan Noli” në Shqipëri, Rexhep Hida, theksoi se që nga viti 2006 në bashkëpunim me projektin TEDA të Ministrisë së Kulturës së Turqisë filluan përkthimin dhe botimin e veprave të korifenjve të letërsisë turke dhe botërore.

“Për 45 vjet në Shqipëri ishin botuar vetëm dy apo tre vepra të dy autorëve turq. Për 12 vjet ne kemi arritur të botojmë 170 tituj dhe në proces kemi dhe 30 të tjerë”, u shpreh Hida. Sipas tij, letërsia turke ndryshe nga letërsia e vendeve perëndimore në qendër të saj ka fatin e njeriut.

Në përfundim të aktivitetit “Nata e prezantimit të veprave turke të përkthyera në shqip” organizuar në kuadër projektit TEDA, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, u mbajt një koncert me këngë dhe valle turke dhe shqiptare. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne