Nëndetësja turke “zbarkon” në portin e Durrësit

Një nëndetëse ushtarake turke e klasit 209, “Yerboj” prodhim modern ushtarak turk i vitit 2008, e komanduar nga kapiteni i rangut të dytë Ersoj Akca, ka hyrë mëngjesin e së premtes në portin e Durrësit, dhe është bregëzuar në kalatën nr. 5 të këtij porti.

Bregëzimi i saj ishte planifikuar për t’u kryer rreth orës 08.00 të mëngjesit, por për shkak të kohës kur vijnë tragetet e linjave Durrës- Bari, nëndetësja turke ka hyrë një orë më pas për të mos penguar manovrat.

Nëndetësja është pritur që në det të hapur dhe është shoqëruar për në port nga motovedetat 01 dhe 118 të Flotës Shqiptare të Kepit të Palit.

Vizita e saj 4-ditore në vendin tonë bëhet në kuadrin e forcimit të marrëdhënieve mes flotave ushtarake detare të dy vendeve tona dhe operacioneve të NATO-s.

Nendetesja është e gjatë rreth 62 m dhe ka një tonazh të përgjithshëm 1456 tonë. Është e pajisur me 8 silure të dukshme, si dhe të tjera numri i të cilave nuk publikohet për arsye ushtarake. Ajo është e angazhuar në mbrojtje të sigurisë kombëtare turke dhe në kuadrin e veprimtarisë së forcave të NATO-s.

Nëndetesja është prodhim turk i vitit 2008 dhe ka një ekuipazh prej 45 ushtarakësh të rangjeve të ndryshme. Pas hyrjes në port, komanda e nëndetëses dhe oficerë të ekuipazhit janë pritur në takime të veçanta nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe me pas nga prefekti i Qarkut të Durrësit Roland Xhelili.

Gjate vizitës 4-ditore ekuipazhi do të zhvillojë vizita në qendrat historike të Durrësit, Shkodrës , Krujës si dhe kanë në program organizimin e nje ndeshje futbolli me skuadren e Flotës Shqiptare, transmeton tesheshi.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne