Komuniteti i Serres në Greqi vijon të jetë i tronditur nga aksidenti tragjik rrugor në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, ku humbën jetën një nënë 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar shqiptar. Ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e përplasjes fatale me një kamion, eksperti i sigurisë rrugore Panagiotis Stamiris ka dhënë një analizë të pamjeve të aksidentit, duke ngritur dyshime se përveç shpejtësisë mund të ketë ndikuar edhe një shpërqendrim i drejtuesit të automjetit.
Sipas analizës së tij, drejtuesi i mjetit nuk ka reaguar në kohë pasi makina ka kaluar në korsinë e kundërt. “Që nga momenti kur automjeti fillon të largohet nga korsia e tij, shoferi kishte mundësi ta korrigjonte drejtimin. Por ai vazhdon për disa metra në korsinë e trafikut përballë dhe vetëm më pas përpiqet të kthehet”, tha Stamiris.
Eksperti vlerësoi se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur me një shpejtësi mbi 70–80 km/orë, bazuar në pamjet dhe dëshminë e një drejtuesi tjetër në rrugë. “Shpejtësia ishte e rritur dhe besoj se ishte mbi kufirin e lejuar. Kur një automjet kalon shpejtësinë kritike në një kthesë, mund të humbasë kontrollin dhe të devijojë”, shpjegoi ai.
Megjithatë, Stamiris theksoi se reagimi i vonuar i drejtuesit mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për t’u hetuar. “Skenari mund të jetë që ai e ka kuptuar me vonesë çfarë po ndodhte, ose për shkak të mungesës së përvojës nuk ka arritur ta vlerësojë siç duhet situatën”, përfundoi eksperti. Aksidenti i rëndë i mori jetën 43-vjeçares dhe djalit të saj 21-vjeçar, duke shkaktuar tronditje të madhe në zonën e Serres.
















