“Nëse Izraeli përshkallëzon dhunën mund të kemi një tjetër intifadë”

Tensionet e fundit dhe shkeljet e Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa, kanë shkaktuar reagime të shumë në gjithë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në mesin e studiuesve, politikanëve dhe organizatave të ndryshme të shoqërisë civile.

Justinian Topulli, kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shprehet se ngjarjet e fundit në Kiblen e parë të muslimanëve, Xhaminë Al-Aksa, janë vazhdim i një politike konstante konflikti dhe provokimi që “shteti sionist i Izraelit ndjek në tokën e shenjtë, që nga koha e pushtimit të këtij territori në 1967”.

“Izraeli sipas të gjitha normave juridike dhe ligjeve ndërkombëtare është pushtues i atij territori, dhe për këtë arsye ai sillet si i tillë, pra me arrogancën e pushtuesit, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar gjithë këtë dhunë dhe nivel provokimi që ai përdor për dekada me radhë ndaj banorëve vendas, dhe objekteve të trashëgimisë islame, dhe në veçanti ndaj Xhamisë Al-Aksa. Ky zinxhir ngjarjesh, që ka nisur para disa dekadave dhe që me siguri do të vazhdojë edhe më tej, është inkurajuar edhe nga politikat shtet-formuese izraelite, të cilat në mjaft raste bazohen në ‘legjenda religjioze’, siç i ka quajtur ato filozofi francez Rozhe Garodi, të cilat e bëjnë Izraelin të ndjehet si në të drejtën e tij, të dhuruar nga vetë Zoti, pa harruar këtu edhe ‘indiferencën’ ndërkombëtare apo dhe mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake, tepër bujare, që i jepet nga jashtë këtij shteti”, thekson Topulli.

Ai shton se është vështirë të parashikosh se si do të rrjedhin ngjarjet ekzaktësisht, duke shtuar se dihet me siguri që nëse Izraeli përshkallëzon dhunën, provokimet dhe masat represive, ka mundësi të përballet me një tjetër intifadë palestineze, ashtu siç provokimi i Ariel Sharonit, pikërisht në Xhaminë Al-Aksa në vitin 2000 u bë shkak për këtë kryengritje popullore.

Kryetari i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë thekson më tej se “Në realitet në atë vend ka disa dekada që kemi të bëjmë me një konflikt me rrënjë ndër-fetare, pavarësisht përpjekjeve për ta minimizuar atë në dukje në përmasat etnike të një konflikt izraelito-palestinez. Prekja e Xhamisë Al-Aksa është prekje e ndjenjave fetare të botës islame dhe potenciali që situata të përshkallëzohet në një konflikt religjioz, me përmasa ndërkombëtare është gjithmonë e mundshme. Në opinionin tim personal, shteti sionist nuk do ta marrë këtë risk, që do të rëndoj së pari mbi të, vetëm nëse arroganca dhe llogaritë e pa bëra i mirë, do t’i shtyjnë pushtetarët e sotëm izraelit drejt një çmendurie të radhës”.

Topulli shprehet se tensionet dhe incidentet e fundit në xhaminë Al-Aksa mund të ndikojnë në paqen dhe sigurinë e rajonit dhe më gjerë.

“Madje mund të themi të sigurt se burimi thelbësor – dhe jo vetëm natyrisht- i konfliktit arabo-izraelit dhe më gjerë është pikërisht pushtimi i Kudsit/Jerusalemit nga ana izraelite, dhe ky vend e merr rëndësinë fetare islame pikërisht për shkak të këtij territori ku gjendet Xhamia Al-Aksa. Madje nuk e teprojmë nëse themi se shkaktarja më e madhe, por jo e vetme, e acarimit të marrëdhënieve në mes arabëve e muslimanëve, nga njëra anë dhe SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore, në anën tjetër, ndërkohë që janë të gjitha mundësitë për të pasur marrëdhënie të mira, e kanë zanafillën tek pushtimi i këtij qyteti dhe njëanshmëria e dukshme e këtyre vendeve në favor të shtetit sionist. Zgjidhja e këtij konflikti me drejtësi, do të bëhej shkak dhe promotor i një paqe rajonale dhe globale, si asnjëherë më parë. Dhe unë besoj se këtë gjë të gjitha palët e dinë mirë”, përfundon ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne