Nesër, hapet ankandi për pronat e ish-firmave piramidale

Ditën e hënë, më 8 Janar 2018, Ministria e Financave do të tentojë të shesë në ankand disa prej pronave të mbetura në pronësi të ish-firmave piramidale.

Pas tentativës së dështuar për shitjen e 14 pronave në Tetor të vitit të shkuar, këtë radhë vlera fillestare e përbashkët kap shifrën e 142.6 milionë lekësh. Pjesa më e madhe e pasurive, që përfshijnë ish-ndërmarrje, apartamente dhe tokë truall, i takon shoqërisë “VEFA”.

Aseti më i rëndësishëm në ankandin që do të zhvillohet pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike është një sipërfaqe toke truall prej 14,030 metrash katrorë, e cila i përket ish-fabrikës së salcës në Fier. Kjo pasuri në pronësi të shoqërisë “VEFA” ka një vlerë fillestare në ankand prej 84.1 milionë lekësh. njofton scan.tv.

Objekte të tjera me vlerë janë: ish-pularia në Grizë të Patosit, e vlerësuar me një çmim prej 11.1 milionë lekësh, në pronësi të shoqërisë Kamberi.

Po ashtu në shitje do të ofertohen edhe 2 mijë metra katrorë truall stacion pompimi në Paskuqan, në pronësi të “VEFA”, vlerësuar në shumën e 9 milionë lekëve; si edhe punishtja e sallamit në Lushnje, me një vlerë prej 8 milionë lekësh, në pronësi të shoqërisë “BENO”.

Pasuritë e mësipërme, janë ndër të paktat që kanë mbetur pas konfiskimit të pronave të ish-firmave piramidale dhe ndarjes së një pjese prej tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne