Shqiperia

Nesër nis muaji i Ramazanit, kreu i KMSH uron besimtarët

Të shtunën nis muaji i Ramazanit dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtaret myslimane anë e mbanë botës.

Kreu i komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj ka përcjellë një mesazh urimi për besimtarët, për më shumë mirësi, mbarësi dhe paqe për të gjithë.

“Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që të ndodheni në Shqipëri, në trevat shqiptare si dhe në mbarë botën në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë por edhe në emrin tim personal kam kënaqësinë dhe nderin t’u uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit. Nesër në datën 27 maj është dita e parë e këtij muaji të bekuar dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtarët myslimanë anembanë botës. Ramazani është muaji i paqes i solidaritetit. Ramazani është muaji kur dalin në pah vlerat universale humane të bujarisë, mirësisë, dashurisë, të respektit ndaj njëri-tjetrit, vlera që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror. Ramazani është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet farefisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe për të forcuar ndjenjën e bujarisë me njerëzit në nevojë. Është momenti kur besimtarët kujtojnë besëlidhjen e tyre me krijuesin e gjithësisë duke forcuar raportin e tyre me Zotin. Agjërimi i muajit të Ramazanit na mundëson një baraspeshë mes shpirtërores dhe materiales, mes zemrës dhe arsyes, mes vullnetit dhe diturisë. Agjërimi i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit dhe çdo besimtar ndihet më afër dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit”, u shpreh ai.

OPINIONE

INTERVISTA