Netanyahu kërcënon Iranin dhe e paralajmëron të mos testojë vendosmërinë e Izraelit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dënuar marrëveshjen ndërkombëtare për programin bërthamor me Iranin, duke theksuar se marrëveshja inkurajoi Teheranin që të bëhet “gjithnjë më agresiv në rajon”.

Netanyahu, në Konferencën e Sigurisë në Mynih theksoi se marrëveshja “liroi tigrin e rrezikshëm iranian në rajon dhe më gjerë”.

I njohur për kritikat ndaj marrëveshjes që në vitin 2015 që Irani e nënshkroi me fuqitë botërore, Netanyahu marrëveshjen e krahasoi me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938, që fuqitë perëndimore e arritën me Adolf Hitler.

“Koncesioni vetëm inkurajoi regjimin nazist. Në vend që të zgjedhin rrugën e cila mund të parandalonte luftën, ata liderë e bënë luftën të pashmangshme dhe shumë të shtrenjtë”, tha Netahyahu.

Ai tha se droni, për të cilin pretendon të jetë iranian, javën e kaluar shkeli hapësirën ajrore izraelite dhe se me rrëzimin e tij, Izraeli i tregoi Iranit se nuk duhet të provojnë vendosmërinë e tyre.

Netanyahu deklaroi se nëse duhet, Izraeli do të veprojë kundër Iranit, jo vetëm kundër aleatëve të tij në Lindjen e Mesme.

“Izraeli nuk do të lejojë që regjimi iranian të vërë litar terrori rreth qafës së tij”, tha Netanyahu.

Teherani zyrtar mohoi pretendimet se mjeti ajror pa pilot është i tyre. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne