Bota

Netanyahu premton normalizim edhe me vende të tjera

Kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu, u zotua se edhe vende të tjera do të bëhen pjesë e procesit të normalizimit me Izraelin.

Netanyahu në llogarinë e tij në Twitter postoi një video që ai filmoi në Blair House në Washington.

Në video ai shprehet se mban draftin e marrëveshjes së normalizimit me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe deklaratën e paqes midis Izraelit dhe Bahreinit.

“Ne kemi punuar për këtë për shumë vite. Nesër (e martë) do të vijë momenti. Ky është një ndryshim i madh në historinë izraelite, si dhe në historinë e Lindjes së Mesme”, thotë kryeministri izraelit.

Netanyahu deklaroi se nënshkrimi marrëveshjeve me EBA-në dhe Bahreinin do të ketë ndikim të madh dhe pozitiv mbi të gjithë qytetarët izraelitë.

Duke iu drejtuar qytetarëve izraelite, ai premtoi që edhe vendet e tjera gjithashtu do të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

“Sipas asaj që unë shoh këtu, ju premtoj se edhe vendet e tjera do ta realizojnë këtë”, u shpreh ai.

Ndryshe, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të Izraelit me EBA-në dhe Bahreinin të arritura së fundmi do të zhvillohet sot në Shtëpinë e Bardhë./AA

OPINIONE

INTERVISTA