Turqi, urdhër arresti për 78 të dyshuar të FETO-s

Prokuroria turke lëshoi urdhër për arrestimin e 78 të dyshuarve në të gjithë vendin për lidhje të dyshuara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes së grusht shtetit të vitit 2016, njoftuan të martën burime të sigurisë.

Policia lokale në provincën e Izmirit kreu operacione të njëkohshme në 28 qytete kundër infiltrimit të organizatës terroriste FETO në Forcat e Armatosura Turke, tha një burim i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për media.

Nga 66 të dyshuar, të akuzuar për kontakte me “imamë të fshehtë”, anëtarë të lartë të FETO-s, përmes telefonit me pagesë, 53 prej tyre, përfshirë 48 ushtarakë aktivë, u arrestuan gjatë operacionit.

Në një operacion të ndarë në kryeqytetin Ankara, u lëshuan urdhër arresti për 12 mësues, duke përfshirë tetë në detyrë, të cilët akuzohen se kanë lidhje me FETO-n, duke përdorur ByLock, aplikacionin në telefonat celularë për shkëmbim të mesazheve të koduara të grupit terrorist, duke u përpjekur të rekrutojnë njerëz për grupin.

Të paktën nëntë nga të dyshuarit u arrestuan në operacion, ndërsa vazhdon kërkimi edhe për të dyshuarit e tjerë.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA Fetullah Gulen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016, i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe gati 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne