Netanyahu zotohet të vazhdojë sulmet kundër Gazës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të vazhdojë sulmet “pa mëshirë” kundër Rripit të Gazës së bllokuar.

Netanyahu tha se lëvizja e Xhihadit Islamik ka “një mundësi”, përkatësisht të ndalojë lëshimin e raketave, përndryshe Izraeli do të vazhdojë ta sulmojë atë “pa mëshirë”.

Siç raporton e përditshmja izraelite Haaretz, në një takim të posaçëm të kabinetit, kryeministri izraelit tha se Izraeli nuk kërkon përshkallëzim, por se do t’i përgjigjet çdo sulmi.

Situata në Gaza u përshkallëzua të martën pasi një sulm ajror izraelit vrau komandantin e grupit të rezistencës Xhihadi Islamik, Bahaa Abu al-Atta, si dhe gruan e tij Asmaa Abu al-Atta.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 18 persona, përfshirë Abu al-Atta dhe gruaja e tij, u vranë që kur nisën sulmet kundër enklavës bregdetare.

Ministria po ashtu theksoi se rreth 50 persona të tjerë u plagosën si rezultat i sulmeve të vazhdueshme.

Shërbimi zyrtar i ambulancës izraelite, i njohur si Ylli i Kuq i Davidit, tha se që nga e marta 15 izraelitë janë plagosur për shkak të raketave të lëshuara nga Gaza drejt zonave jugore të Izraelit./AA

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne