Nga kontrolli në shtëpi, te cënimi i pronës dhe i punës, kompetencat e reja të superqeverisë pas vendosjes se Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore

Qeveria vendosi dje shpalljen e “Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore” në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”.

Vendimi justifikohet për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe është politikisht i përkrahur edhe nga opozita. Por kush janë pasojat e këtij vendimi. Çfarë ndryshon në jetën e çdo qytetari dhe sa e pushtetshme bëhet qeveria, që në këto kohë ka nxjerrë edhe Ushtrisë në rrugë.

Kufizime që i njihen qeverisë në këtë vendim janë Kushtetuese. Pra qeveria prek të drejtat, që janë “të paprekshme” në një demokraci. E drejta e parë që kufizohet është ajo e nenit 37. “Paprekshmëria e banesës është e garantuar“.

Me vendimin e djeshëm kjo e drejtë kushtetuese rrëzohet. Qeveria mund të kontrollojë banesën dhe mjediset e saj. Rrëzohet edhe mbrojtja kushtetuese “askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal“. Qeveria mund ta bëjë këtë sot.

Një tjetër e drejtë është ajo e lëvizjes. Në nenin 38 të Kushtetutës parashikohet që “Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit“. Në fakt kjo e drejtë ka disa ditë që është ndaluar nga qeveria edhe pa gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore.

Po një tjetër superfuqi i jepet qeverisë nga pezullimi i nenit 41, pika 4. E drejta e pronës. E bashkangjitur me gjendjen e jashtëzakonshme për tërmetin, qeveria i jep të drejtën vetes të shpronësojë pa paguar. Neni 41 i kushtetutës është garantin pronën. “E drejta e pronës private është e garantuar“. Vendimi i djeshëm shfuqizon pikën 4.

“Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë“. Pra gjatë kësaj kohë koronavirusi, qeveria mund të të marrë edhe pronën pa paguar. Dhe të mendosh që opozita e djathtë ishte ajo që këmbëngulte në vendosjen e kësaj gjendjeje.

E drejta tjetër, ka të bëjë sërish me individin. Nene 49 dhe 51 të kushtetutës që shfuqizohen mbrojnë punën. Pa punë s’ka të ardhura.

Në kushtetutë thuhet ”secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional”. Nga dje kjo e drejtë është rrëzuar, bashkë me të drejtën e grevave.

Pra pas vendimit të djeshëm, qeveria mund të bëjë gjithçka që kushtetuta ja ndalon. Nga kontrolli i banesës, të ndalimi i lëvizjes, i punës apo marrja e pronës pa para. Nga dje, e gjithë e drejta që garantojnë liritë e individit në demokraci, varet në vullnetin e qeverisë. Sipas kushtetutës, për 30 ditë qeveria është “Zoti i shqiptarëve”.

“Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.

Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit”./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne