Nga prezenca në Kuvend e deputetëve opozitarë të përjashtuar, te qëndrimi i PS, skenarët që priten të ndodhin sot në seancë

Tensione të forta dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës parashikohen në nisje të seancës parlamentare të ditës së sotme. Shkak do të bëhet përjashtimi i 26 deputetëve të opozitës me vendim të Sekretariatit të Etikës më datë 19 tetor, pas kaosit në seancën e asaj dite.

Opozitarët e përjashtuar do të mbërrijnë në Kuvend për t’u bërë pjesë e seancës, pasi argumentojnë se afati 10 ditor i përjashtimit ka përfunduar më datë 29 tetor. Por duket se ndryshe mendon mazhoranca socialiste, e cila i referohet Rregullores së Kuvendit, nenit 121/1 dhe konkretisht fjalisë së dytë të pikës 3 ku thuhet se: “Kur dita e fundit e një afati bie e shtunë, e diel ose një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen pas saj”. Në këto kushte të leximit krejtësisht të kundërt të Rregullores së Kuvendit, duken të pashmangshme tensionet sot në Kuvend.

Salla e seancave plenare më 19 tetor, u shndërrua në arenën e protestës politike të opozitës dhe sidomos të deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha. Pa nisur seanca opozitarët bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancën plenare. Në ato kushte kaosi, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj që drejtonte seancën plenare, vendosi shtyrjen. Ndërkohë mazhoranca zyrtarisht depozitoi kërkesën për përjashtimin nga Kuvendi të 26 deputetëve opozitarë. Vendimi u mor po atë ditë.

Për opozitën, mazhoranca socialiste ka asgjësuar të drejtat e opozitës pasi ka rrëzuar të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore për hetime parlamentare. Sipas saj, aksioni politik ishte vetëm fillimi i rezistencës.
Mazhoranca sjelljen e opozitës në seancën e 19 tetorit e pa si dhunë ndaj institucioneve e për këtë arsye theksoi se nuk mund të tolerohet./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne