Bota Islamofobi

Nga Serbia në Zelandë, rritja e të djathtës ekstreme inspiruar nga kriminelët e luftës

Shtetet në Ballkan duket sikur nuk kanë probleme, sa i përket të djathtës ekstreme, meqë nuk kanë përfaqësues në parlament.

Por, e djathta ekstreme, sidomos në Kroaci e Serbi, është e rrënjosur thellë në strukturat shoqërore.

Veçanërisht mes tifozëve të futbollit, ku shfaqet nacionalizmi. Dinamo e Hajduk në Kroaci, Crvena Zvezda e Partizan në Serbi, përqafuan nacionalizmin si ideologjinë e tyre kohë më parë.

Disa ekipe të futbollit shkuan madje shumë larg, sikurse klubi Obilic nga Beogradi, që në vitin 1996 u ble nga krimineli i luftës, Zeljko Raznatoviq Arkan.

Klubi, emrin e mori nga ai që në Serbi njihet si hero i mesjetës, Milos Obiliq. Tifozët e këtij klubi njihen si figurat e preferuara të djathtistëve, mbrojtësit e krishterimit, ‘Kalorësit’.

Duke qenë ekip i dorës së dytë, Oblici, fitoi kupën e Serbisë vetëm një herë, sa udhëhiqej nga Arkani.

Hetimet e mëvonshme rreth Arkanit zbuluan se suksesi i klubit Obilic rrodhi nga telefonata kërcënuese që pranonin lojtarët kundërshtarë.

Një numër i madh i referëve pohuan më vonë se Arkani futej deri në zhveshtore e ia drejtonte revolen secilit që mund të dëmtonte ekipin e tij.

Pothuajse 20 vjet pas vrasjes së Arkanit, Obilici i tij nuk luan më në asnjë ligë, por djathtistët janë aty të shpërndarë në dhjetëra organizata, disa prej të cilave numërojnë mijëra anëtarë.

Fuqinë e tyre, shpesh e shprehin me marshe e protesta të ndryshme, e sulme ndaj grupeve të caktuara të qytetarëve.

Situata jostabile politike në rajon, ndikon në fuqizimin e së djathtës në Serbi.

Se çfarë ndikimi ka e djathta ekstreme serbe, dëshmoi edhe rasti i sulmuesit në qytetin Christchurch në Zelandë, i cili ndër vite, inspirimin për besimet e tij e gjente te kriminelët serbë të luftës.

E djathta ekstreme në Serbi përkrah edhe presidentin aktual Aleksandar Vuçiq.

Djathtistët e kishin përshëndetur iniciativën e presidentit për hapjen e dialogut rreth statusit të Kosovës dhe kishin pritur thirrje për pjesëmarrje në këtë.

Dusan Janjiq, nga Fondi për Raporte Etnike, i pyetur rreth protestave të fundit kundër qeverisë serbe që po mbahen në vend, tha se është më shumë i shqetësuar se për to nuk po raportohet.

“Këto protesta në Serbi organizohen kryesisht shkaku i pakënaqësisë së qytetarëve. Pas tyre qëndron Partia Demokratike. Por, këtu kemi protesta tjera për të cilat nuk raportohet. Mua më shqetësojnë protestat e së djathtës ekstreme”, ka thënë Janjiq.

Janjiq pohon se pushteti i Vuçiqit, megjithatë, është dobësuar, meqë serbët, thotë ai, e kanë kuptuar se nuk mund të mbesin më pjesë e një shteti vasal e autoritar.

Sipas tij, pozita e presidentit për Vuçiqin, varet shumë nga situata me Kosovën.

OPINIONE