Shqiperia

Ngarkohet sistemi për lejet e daljes në pazar, AKSHI: Kanë aplikuar shumë shqiptarë jashtë vendit dhe pensionistë!

Prej ditës së hënë, askush nuk mund të dalë nga banesa për të bërë pazaret pa marrë leje më parë te e-Albania. Por që në ditën e parë janë vërejtur probleme në sistem.

Daniel Shima, nga AKSHI, foli në A2 ku zbuloi edhe problematikat që janë shfaqur në ditën e parë, të parashikueshme dhe të çuditshme. Edhe pse pensionistëve iu bë e ditur që të mos aplikojnë, pasi nuk lejohet të dalin nga shtëpia, Shima thekson se ka pasur një numër të madh aplikimesh nga kjo kategori.

Po ashtu, sipas Shimës, kanë aplikuar edhe një numër i madh shqiptarësh që jetojnë jashtë vendit. “Ka pasur shumë aplikime nga pensionistët. Kjo ka sjellë edhe ngarkesë në sistem. Ka shumë aplikime edhe nga aplikantë nga jashtë Shqipërisë. Ndoshta kurioziteti për të testuar sistemin. U bëjmë thirrje të gjithë këtyre qytetarëve, t’u lënë mundësi aplikimi qytetarëve që kanë me të vërtetë nevojë të dalin”.

Shima shprehet se prej së dielës ka nisur edhe përmirësimi i sistemit, duke marrë parasysh edhe skenarë të paparashikuar më parë. Ai tha gjithashtu se kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë aplikuar me SMS, një mundësi alternative për leje, e cila u është vënë në dispozicion vetëm qytetarëve që nuk kanë akses në internet.

Sa i përket shtetasve të huaj në vendin tonë, Shima tha se mund të aplikojnë vetëm me SMS në numrin 55155./A2 NEWS/