Ngritja e Le Pen shkakton ankth në prag të zgjedhjeve presidenciale në Francë

Franca nesër shkon në zgjedhjet presidenciale në një klimë të rënduar shkaktuar nga aktet terroriste. Klima i ka sjellë avantazhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila është akuzuar se po i shfrytëzon sulmet terroriste.

E vendosur tashmë në pozitat e një kandidateje kryesore të fushatës presidenciale, udhëheqësja e Frontit Nacional është përpjekur t’i frenojë tiparet ekstreme të kësaj partie, që kur mori në dorë drejtimin e kësaj force politike në 2011-n. Problemet ekonomike, sociale dhe ato të sigurisë kanë çuar ujë në mullirin e 48-vjeçares, partia e së cilës ka arritur të sigurojë edhe mbështetjen e të pakënaqurve me kushtet aktuale të vendit. Në zgjedhjet lokale të 2014-s, Fronti Nacional fitoi 12 komuna e në votimet e majit të po atij viti për Parlamentin Europian, doli forcë e parë. Disa ekspertë, megjithatë mendojnë se sado e fortë të jetë ngritja e saj në skenën politike të vendit, nuk do ta favorizojë dot deri në pikën e marrjes së çelësave të Elizesë. Një pjesë e shohin si të rrezikshme edhe idenë e saj për të ndjekur shembullin e Britanisë në raport me bllokun europian. Në prag të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, francezët janë skeptikë nëse kandidatët do të arrijnë të mbajnë premtimet elektorale apo do zgjidhin çështjet për të cilat kanë dhënë garanci. Vrasja e një efektivi të policisë nga një militant i dyshuar i ISIS të enjten e 20 prillit e vendosi sigurinë kombëtare në krye të axhendes politike franceze.

Liderja e Frontit Nacional Marine Le Pen ka premtuar ashpërsim të kontrolleve kufitare dhe zhdukjen e terrorizmit islamik nëse ajo zgjidhet presidente e vendit. Disa prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet presidenciale të Francës u akuzuan se po përdorin vrasjen e një polici në Paris për përfitime politike. Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen u zotua se do të dëbonte nga Franca radikalët islamikë, ndërsa rivali i saj republikan, François Fillon tha se do të luftojë totalitarizmin islamik. Megjithëse rivalët, dukej sikur komentet e tyre kishin dalë nga e njëjta zyrë, pasi deklaratat e Le Penit dhe Fillonit sërish flisnin për Francën që është në luftë. Dy kandidatët i bënë këto komente pas sulmit dhe thanë se nuk do të bënin fushatë në ditën e fundit, këtë të premte, në shenjë respekti ndaj policit të rënë. Sidoqoftë, fjalët e tyre në deklaratat pas sulmit nuk u vlerësuan aspak nga kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, i cili tha se Le Pen dhe Fillon po shfrytëzojnë cinikisht sulmin terrorist. Cazeneuve kritikoi dosjen e sigurisë së Fillonit, kur ky i fundit shërbente si kryeministër, ndërsa akuzoi mjaft hapur udhëheqësen e Frontit Nacional, Le Pen, se po shfrytëzon frikën fare pa turp.

Në të njëjtin kuadër u shpreh edhe udhëheqësi i garës, të paktën sipas sondazheve të fundit, Emmanuel Macron, i cili tha se dy rivalët e tij po përpiqen të fitojnë pikë politike në kurriz të sulmit të Parisit. Macron tha se Fillon dhe Le Pen po shfrytëzojnë situatën e krijuar në avantazhin e tyre, diçka e pranueshme, pasi pavarësisht tensionit në vend, askush nuk duhet që të manipulojë atë që ka ndodhur për përfitime politike. Sondazhet për zgjedhjet e së dielës rendisin në vendin e parë pikërisht Emmanuel Macron, që ndiqet nga Le Pen dhe Fillon. Këta të 3 duket se do të garojnë për dy vendet e lira të balotazhit të 7 majit, pasi 4 kandidatët e tjerë, zor se kanë shpresa që të mbërrijnë atje./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne