Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale sot kanë nënshkruar peticionin përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të iniciojë procedurën për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, por duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Bahtiri theksoi se që nga sot fillon peticioni për bashkimin e Mitrovicës.
“Kërkoj nga ju që të dalim faqebardhë me këtë peticion, e ti drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë, peticioni fillon sot, dhe në qoftë se dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet gabon sepse do të realizohet. Ju lus si qytetar i Mitrovicës që t’i dilni zot vendit tuaj dhe ditën e sotme t’i përgjigjen vullnetarisht dhe masivisht iniciativës sime”, tha Bahtiri.
Ky peticion ka shtrirje në tërë Kosovën. Në Mitrovicë janë vendosur pesë pika, duke filluar para objektit të ndërtesës komunale, tek sheshi i qytetit, në afërsi të stacionit të autobusëve, tek xhamia ”Isa Begu”, ku qytetarët kanë mundësi të nënshkruajnë këtë peticion.
Kryetari i Mitrovicës i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që është nga Mitrovica që të nënshkruaj këtë peticion.