Nisma Thurje kallëzon në SPAK Blendi Gonxhen për abūzime me tenderët

Nisma Thurje kallëzoi në Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) drejtorin e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Në kallëzimin e depozituar në SPAK, të cilin Euronews Albania pati mundësi ta shqyrtonte, Nisma Thurje i kërkon prokurorëve të hetojë “në mënyrë të thelluar gjithë procedurat e zhvillimit të tenderëve publik që lidhen me kompanitë që zotëron, apo lidhen me zotin Gonxhja”.

Nisma thotë se kompani private të qiradhënies së makinave, të cilat lidhen me Gonxhen, kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë tenderë publik.

Gonxhja thuhet se zotëron kompaninë Albarent, e cila për pesë vite (2014-2019) ka përfituar nga buxheti i shtetit 20 milionë lekë (160 mijë euro).

Albarent bashkëpunon me kompaninë tjetër A-T-D (Albanian Technology Distribution), e cila sipas Nismës Thurje “rezulton se përdor mjedise të Albarent” gjë që ngjall dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me të njëjtën kompani, e ndarë fiktivisht me qëllime përfitimi të paligjshëm me dy degëzime”.

Në pesë vitet e fundit, A-T-D mendohet se ka përfituar rreth 6 milionë dollarë tenderë shërbimesh publike.

Gonxhe ka drejtuar më parë Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) pranë Bashkisë Tiranë, dhe sipas Nismës Thurje, gjatë kësaj periudhe kompania e tij Albarent ka përfituar nga APR-ja rreth 40 milionë lekë (320 mijë euro).

Duke marrë shkas nga këto argumente, Nisma Thurje i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë për dyshimet se Gonxhe mund të ketë prishur garën dhe barazinë në tenderë nga ndikimi si zyrtar i lartë.

Duke qenë se zoti Gonxhja gjatë 6 viteve të fundit ka ushtruar funksione të larta publike dhe gjatë kësaj kohe kompania, e cila zotëron ka përfituar 2 milionë euro para publike, na lind dyshimi i arsyeshëm se ai mund të ketë ushtruar ndikim me qëllim që kontratat e shërbimeve t’i përfitonte në mënyrë të paligjshme kompania që ai zotëron,” – thuhet në kallëzimin e Nismës Thurje.

Në muajin korrik akuza ndaj Gonxhjës për shpërdorim detyre dhe abuzime me tenderët ka drejtuar edhe opozita, e cila ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.

Në një reagim në rrjetet sociale më 21 korrik, Gonxhja ka mohuar gjithçka duke këmbëngulur se të gjitha prokurimet publike janë bërë sipas ligjit dhe deklaratat e tij të burimeve financiare dhe konfliktit të interesit kanë qenë pa probleme në Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

“Firma e familjes sime nuk ushtron konkretisht në aktivitetin e saj asnjë prej funksioneve që ndeshen me DPSHTRR: Nuk jep targa, nuk lëshon patenta, nuk ka mjete a kurse autoshkollë, nuk ka asnjë licencë ekskluzive, as linje të rregullt udhëtarësh qytetëse, ndërqytetëse apo ndërkombëtare, e nuk gëzon asnjë privilegj/koncesion që buron nga detyra ime! Anasjelltas:

DPSHTRR as jep makina me qira e as ofron shërbime me shofer!,” – është shprehur ndër të tjera Gonxhja duke këmbëngulur se është i hapur për çdo verifikim por nuk do të tolerojë asnjë lajm të rrem apo denigrues ndaj punës së tij.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne