Një Brexit pa marrëveshje

Michael Barnier, shef i negociatave i Bashkimit Evropian për Brexit-in, ka paralajmëruar të martën se paaftësia e Britanisë për të vendosur për një marrëveshje për dalje të rregullt ka bërë që i ashtuquajturi Brexit pa marrëveshje të ketë më shumë gjasa të ndodhë në më pak se 2 javë. Përderisa një zgjatje e mëtutjeshme e afatit të fundit është e mundshme, asgjë nuk është e sigurt. Ja çka mund të ndodhë nëse Britania del nga unioni pa marrëveshje.

Portet detare mund të bllokohen

Tragetet dhe trenat qarkullojnë në mes pjesës juglindore të Anglisë dhe Calaisit në Francë, duke bartur ushqim, mallra dhe njerëz në mes Britanisë dhe pjesës tjetër te Bashkimit Evropian. Nëse Britania do të ndahet pa marrëveshje, shumëkush shqetësohet se kjo mund të rezultojë në kolona të gjata dhe të bllokuara të trafikut, duke shtyrë automjetet e rënda të qëndrojnë për orë të tëra në autostrada dhe kështu ushqimi të prishet dhe proceset prodhuese të ndalen.

‘Unë pres të shoh radhë të gjata në porte sepse tregtarët, importuesit dhe eksportuesit dhe rrjeti logjistik i furnizimeve nuk janë të përgatitura për marrëveshje të reja doganore këtu dhe në BE,’ tha Duncan Buchanan, drejtori i politikave të Asociacionit të rrugëve dhe transportit në Britani. “Do të kemi një ngadalësim masiv në rrjetin e furnizimit”, tha ai.

Britania ka deklaruar se do ta lejojë qarkullimin e kamionëve ndaras trageteve dhe trenave pa deklarime dhe kontrolle shtesë, por shtetet tjera të BE-së nuk e kanë deklaruar të njëjtën për trafikun që vjen nga Britania. Transportuesit britanikë që arrijnë në porte mund të kthehen mbrapa nëse nuk i kanë dokumentet e kompletuara saktësisht.

Mund të shfaqet mungesa e ushqimit

Fermerët dhe prodhuesit ushqimorë kanë paralajmëruar se furnizimet mund të tkurren.

Afërsisht një e treta e ushqimit të konsumuar në Britani vjen nga Bashkimi Evropian, por nëse kamionët që bartin atë ushqim ngecin, konsumatorët do ta kenë më të vështirë të blejnë ushqime që prishen shpejt, siç janë marulet dhe domatet.

Prodhuesit e ushqimit po ashtu kanë paralajmëruar edhe për dokumentet shtesë, pasi që një valutë e dobët britanike dhe taksat në ushqim mund të rrisin çmimet. Mark Carney, guvernator  i Bankës së Anglisë tha se çmimet e ushqimit mund të rriten për 10 për qind.

Një Brexit pa marrëveshje po ashtu mund të qojë në mbylljet e kompanive në industrinë e ushqimit, një në katër eksportues të ushqimit mund të mbesin jashtë biznesit në gjashtë javët e ardhshme, bazuar në Federatën e Ushqimit dhe Pijeve.

Prodhimitaria mund të ndalet

Një pjesë e madhe e industrisë së prodhimit në Britani bazohet në prodhim në kohë reale, që do të thotë se prodhimet që transportohen vazhdimisht në mes Britanisë dhe Evropës arrijnë brenda minutave për t’u përdorur në fabrika.

Ky proces mund të shembet nëse trafiku bllokohet në Dover ose Calais dhe pjesët të cilat prodhuesve iu nevojiten mund të ngelin në rrugë. Disa prodhues automjetesh thanë që ata do t’i mbyllin fabrikat përkohësisht deri sa t’i  rregullojnë këto ndërprerje.

Disa prodhues e kanë ndaluar përkohësisht punën pas 29 marsit, kur edhe ishte afati i fundit i Britanisë për te dalë nga BE-ja, të frikësuar nga një Brexit pa marrëveshje. Por ndalimi i punës së plantacioneve të tyre është planifikuar muaj më parë. Nëse Britania del nga BE-ja më 12 prill pa marrëveshje, fabrikat që janë rihapur mund të goditen nga ndërprerjet.

Mund të ketë mungesë ilaçesh

Industria farmaceutike ka shprehur shqetësimin se një Brexit pa marrëveshje, i cili mund ta fundosë funtin britanik, do të ndikojë në rritjen e çmimit të furnizimeve mjekësore duke çuar kështu në mungesa të mëdha në vend.

Prodhuesit i kanë bërë thirrje qeverisë të vërë një ndalesë të përkohshme në barnat esenciale për t’u mbrojtur nga kjo mundësi.

‘Ne i kemi ndërtuar të gjitha këto rezerva. Tani na nevojitet të jemi të sigurt që nëse muajin e ardhshëm funti dobësohet, atëherë blerësit nuk do t’ia shesin këto rezerva njerëzve në BE në mënyrë që të fitojnë para,’ tha në një prononcim Mike Thompson, shefi ekzekutiv i Asociacionit të Industrisë Farmaceutike Britanike.

Qytetarët britanikë dhe evropianë do të përballen me paqartësi

Komisioni Evropian i ka shtyrë shtetet anëtare të BE-së të sigurohen që qytetarët britanikë që jetojnë brenda kufijve të tyre të vazhdojnë të jenë shtetas legalë, por kjo varet nga secili shtet.

Banorët britanikë të shteteve tjera të Bashkimit Evropian mund ta gjejnë veten të pakualifikuar për kujdes shëndetësor dhe qeveria i ka këshilluar ata të marrin sigurim shëndetësor ndaras derisa ata të kenë leje qëndrimi.

Theresa May, kryeministre e Britanisë, ka thënë se qytetarët e Bashkimit Evropian në Britani do të kenë mundësi të qëndrojnë edhe nëse shteti del nga BE-ja pa marrëveshje dhe se ajo e ka një propozim për ta. Por një komision parlamentar për të drejtat e njeriut ka vënë në pikëpyetje nëse qeveria i ka mbrojtur në mënyrë korrekte të drejtat e tyre.

Mund të bëhet rrëmujë në kufirin me Irlandën

Irlanda, anëtare e Bashkimit Evropian, dëshiron ta shmangë kufirin fizik me Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë, sepse një pengesë e tillë mund ta shfuqizojë marrëveshjen e ‘së premtes së mirë’, e cila ishte arritur më 1998 dhe e cila ndihmoi në përfundimin e luftës sektare.

Por një Brexit pa marrëveshje mund të imponojë papritmas ndalesa në njerëz, mallra dhe shërbime që kalojnë në mes Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Qeveria irlandeze e ka propozuar lejimin e lëvizjes së njerëzve dhe shërbimeve matanë kufirit nëse ndodh Brexiti pa marrëveshje, por jo edhe transportimin e mallrave.

Biznesi i bankave dhe kompanive ajrore mbetet i njëjtë

Sektori financiar është përgatitur për një Brexit pa marrëveshje qëkur Britania votoi për të dalë nga Bashkimi Evropian në vitin 2016, prandaj të paktë janë ata që presin një efekt të dukshëm në këtë sektor nëse ndodh Brexiti pa marrëveshje.

Shumë banka i kanë hapur zyrat në qytete të ndryshme evropiane, si Frankfurti, Parisi dhe Dablini, në mënyrë që të vazhdojnë t’i kryejnë të njëjtat shërbime pa pengesa.

Komisioni Evropian po ashtu e ka miratuar legjislacionin që do t’i parandalojë pengesat për kompanitë ajrore që operojnë në rajon, shkruan “New York Times”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne