Një debat për minoritetin 25 vjet më parë dhe një debat për Himarën “greke”

Dy ishin minoritet në Shqipëri në vitin 1992-1993. Bazuar në ligjin “Për të drejtat themelore të njeriut dhe për minoritetet etnike në Shqipëri”, pranohej  ligjërisht ekzistenca e minoriteti grek dhe atij maqedonas. Një seancë debati ku diskutohej për ligjin për të drejtat e njeriut, një deputet i minoritetit grek përballet me deputetë të tjerë për të drejtat e minoritetit. Është deputeti i parlamentit të vitit 1992, Kosta Makariadhi i cili pati rol protagonist në atë seancë e të tjera që e pasuan, për të drejtat e  minoritetit grek në Shqipëri. Në atë debat duket se është fjala vetëm për dy minoritete, Grek dhe maqedonas, duket gjtihashtu sensibiliteti  që kishte për këtë çështje, pra të drejtat e minoritetit në Shqipëri.

Në pamje të parë duket njësoj kur Rama e Berisha përplasen mes tyre për debatin që lidhet sërish me minoritetet. Kanë ndodhur shumë ngjarje qysh atëherë. Ka politikanë që janë maturuar por ka të tjerë që kanë bërë regres. Të tjerë politikanë janë sot në skenë dhe po ti krahasosh ata të dikurshmit me këta të sotshmit, do të shohesh një dallim mes tyre. Ata të vitit 1990, kishin pak përvojë politike, rreth një vit, megjithatë kishin nisur ta shfaqnin tiparin “e dhëlpërisë” dhe kjo iu shërbente sa herë kishte çështje kaq sensibël sa kjo e minoritetit. Por ata kishin edhe një farë maturie kur flitej për këtë çështje. Këta të sotmit kanë dhelpërinë, aspak maturi e shumë injorancë dhe jo vetëm në çështjet e minoritetit..

U pa sot në debatin që Rama Berisha Dule e të tjerë bënë në sallën e kuvendit për  rastin e shpalljes minoritet edhe të pakicës bullgare në Shqipëri. Detaj i përbashkët është prania e Berishës si në vitin 1992 edhe sot në vitin 2017.

Në seancën e tetorit të vitit 1992, është Kosta Makariadhi që kërkon që ligji të lejojë hapjene shkollave publike dhe private për minoritet. Ka dhe një përgjgije të ministrit të arsimit të kohës, i ndjeri, Ylli veisiu. Debati vjen e  ndizet kur është fjala për Himarën. Ministri Vejsiu i kundërvihet fort argumentave të deputetit të minoritetit grek dhe shpreh habinë se si mund të quhej Himara greke…“Pamfleti” sjell një pjesë të debatit të asaj séance në tetor të vitit 1992.

Kosta Makariadhi deputet i PDNJ-së – Qytetarët, sipas Kushtetutës janë me të drejta dhe detyra të barabarta dhe këto materializohen me ligje të veçanta, siç duhet të jetë edhe ligji “Për arsimin dhe arsimimin në gjuhën amtare”.

Për fat të keq, do të thosha që edhe projektligji që ka përgatitur Ministria e Arsimit nuk i rregullon këto të drejta, përkundrazi i mohon deri diku dhe më keq se asnjëherë tjetër. Madje aty flitet për zona minoritare, të cilat do të përcaktohen nga kushtetuta që po përgatitet, ide kjo që për mendimin tonë do të jetë shumë e vështirë që të realizohet dhe të mirëpritet nga të gjithë. Në këtë ligj nuk parashikohet as qoftë edhe hapja e shkollave private, që do të ishte një zgjidhje e pjesshme e këtyre problemeve. Ne e mirëpritëm dhe e përshëndetëm vendimin e ministrit të Arsimit, Qeverinë e Koalicionit për vazhdimin në gjuhën amtare të mësimeve edhe në ciklin e lartë të shkollave 8-vjeçare për ato shkolla që e kanë pasur atë në ciklin e ulët. Mirëpo ç’u bë pas kësaj? Nuk u morën masat e duhura, sidomos për sa i përket përgatitjes së kuadrit që do të japë mësim dhe teksteve mësimore shkollore. Janë bërë kërkesa të përsëritura si nga ana e përfaqësuesve të minoritetit, po ashtu dhe të Universitetit të Gjirokastrës për hapjen në këtë universitet të degës së Mësuesisë në Gjuhën Greke. Por kjo kërkesë, deri tani, vazhdimisht është refuzuar. Pse? Si mund të justifikohet ky qëndrim? Në qoftë se ministria pretendon se ka vështirësi, duhet ulur në tavolinën e bisedimeve për t’i kapërcyer ato. Si mund të mjaftohet kjo ministri vetëm me hapjen e një katedre të gjuhës greke pa studentë dhe pa auditorë? A nuk është kjo një shprehje e thjeshtë për bujë dhe për reklamë tipike të kohës së diktaturës? A nuk e ka bërë këtë gjë Enveri shumë kohë përpara, madje ka dërguar dhe studentë për filozofi jashtë shtetit (Vetë korrigjohet: Për filologji, më falni!)

Na bëri, gjithashtu përshtypje të gjithëve mos nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet universitetit të Gjirokastrës dhe atij të Janinës, kur çdo gjë ishte bërë gati dhe pritej vetëm ana ceremoniale e hedhjes së firmës. Asnjë sqarim nuk u dha për këtë shtyrje apo anulim. Ne jemi për marrëdhënie të mira të kësaj natyre, të cilat ndihmojnë për zgjidhjen sa më të mirë të problemeve tona. Nuk dua të zgjatem këtu, në këtë diskutim me çështje të tjera që kanë të bëjnë me realizimin në praktikë të të drejtave të minoriteteve për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të tyre nëpërmjet shkollës, programeve të saj dhe gjithë procesit të edukimit për veçoritë kombëtare që ata kanë. Ne këto i kemi pranuar dhe kemi nënshkruar marrëveshjet përkatëse. Për të gjitha këto probleme Ministria e Arsimit duhet të preokupohet seriozisht me vullnet e dëshirë të mirë dhe t’i zgjidhë në kohën e duhur për çka ajo konsideron se nuk është në kompetencë të saj, të merret seriozisht edhe Kuvendi Popullor me komisionet e tij të arsim-kulturës dhe atij të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në mënyrë të tillë që siç e theksova edhe në fillim, duke u bërë Shqipëria shembull pozitiv në Ballkan, të kontribuojë dhe të ndikojë edhe në shtete të tjera, minoritetet e të cilave kanë probleme të tilla analoge. Të heqim dorë nga mentalitetet mekanike të së kaluarës dhe nga dyshimet e ndryshme se asnjë e keqe s’ka për të ardhur nga arsimi dhe kultura.

Ylli Vejsiu, ministër i arsimit – Do të kisha pasur dëshirë të mos diskutonte zoti Kosta Makariadhi. Pse? Sepse problemet që ai ngre, nuk janë probleme arsimi. Do të doja që në seancë të veçantë parlamentare, siç u bë sot për Kosovën, ky është propozimi im, sugjerimi im, të bëhej një seancë pra, mbi çfarë po ndodh poshtë në jug, jo vetëm për arsimin, por për të gjithë gjërat e tjera, ta merrte në analizë ky Parlament. Ta merrte në analizë dhe të bënte një seancë parlamentare.

   Pjetër Arbnori – Kemi ngritur komisionin, zotëri, dhe komisioni do të japë raportin, të cilin do ta diskutojmë.

    Ylli Vejsiu – E dyta, për sa i përket problemeve që u ngritën lidhur me shkollat private, apo shkollat fetare. Këto janë në ligjin arsimor.

Unë po jua them se ne kemi ndjekur një praktikë fare demokratike. E kemi botuar projektligjin “Për reformën arsimore”. E kemi botuar te gazeta “Mësuesi”, 2500 ekzemplarë. Ua kemi dhënë të gjithë grupeve parlamentare pa diskutim, edhe Partisë Socialiste, edhe Socialdemokrates, edhe demokrates. Po të doni ua japim dhe këtyre. Por është botuar në “Zërin e Popullit”. Ua kemi dhënë institucioneve të specializuara. Atë që tha zoti Moikom Zeqo “Të mos e monopolizojmë punën në ministri”, ja kemi dhënë instituteve pedagogjike. Kemi marrë vërejtjet. Ky projektligj do të diskutohet në Parlament. Është në të drejtën tuaj, zotëri që ta bëni këtë ligj për së mbari. Nuk ju ndalon askush. Do t’jua dimë për faleminderit po të na nxirrni një ligj të përkryer. Na kanë ardhur nga Këshilli i Evropës asistentë të cilët rrinë në rezidencë për të punuar për këtë ligj, dhe u kemi thënë: “Shikoni mirë problemet e minoritetit, shkollave private, shkollave fetare, se nuk dimë dhe nuk kemi asnjë përvojë.” Prandaj mos u ankoni për një gjë që ne jemi duke e bërë. Duam ta bëjmë mirë dhe përgjegjësinë e kemi vetë.

Për sa i përket problemit të marrëveshjes, tani që jemi këtu të gjykojmë, se kur ngremë një problem, ta ngremë tamam. Ishim gati të nënshkruanim një marrëveshje, do të shkonim në Gjirokastër, kur na thonë “jo, nuk do të bëhet në Gjirokastër, por do të bëhet në Janinë dhe do të vijë zëvendësministrja e Jashtme, për të nënshkruar”. Kjo u bë në momentin e fundit. Atëherë Ministria e Jashtme tha:” Duhet të ruhet reciprociteti, kur është një zëvendësministër i Jashtëm, duhet të shkojë një zëvendësministër i Jashtëm”. Janë gjëra të protokollit. Nuk ka asnjë gjë parimore. Ne jemi dakord. Madje dje ka ardhur rektori dhe i kam thënë: “Pse akoma nuk e keni firmosur këtë marrëveshje? Kjo ju ka penguar? Pse na i ngre këto probleme tani?”

Edhe një gjë po ju them, pse jam bërë ministër, nuk do të thotë se kam ndonjë plan pune për Greqinë tani, në kuptimin e gjerë të fjalës. Çdo muaj unë duhet të bëj ndonjë gjë për grekun, për shkollat greke. (Vetëkorrigjohet: “Më falni, që përdora këtë fjalë!”) Nuk i kanë vënë vetes këtë detyrë, edhe Parlamenti e Qeveria nuk më kanë… Nuk kam unë një program pune që në qershor duhet të bëj një gjë për Ksamilin… Na doli dhe Ksamili, …po Ksamili, more zotëri, nuk është fare territor grek. Është territor i vendosur nga shqiptarët. Këtu u fol për Himarën, tani po e marrim vesh që Himara qenka greke. Po ku jeni, pse s’flisni, mor zotërinj? Vetëm unë qenkam shqiptar këtu? Ky është një problem që do një trajtim të veçantë. Himara na doli greke? S’e kam ditur, për nder! Atëherë, kot që e paskam bërë gjithë këtë shkollë. Prandaj unë do të doja që zoti Kosta Makariadhi të mos e kish bërë këtë diskutim./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne