Një delegacion i Huthive takohet me përfaqësues të Arabisë Saudite

Rebelët e Jemenit, Huthit të mbështetur nga Irani, bënë të ditur së një delegacion i tyre u takua me përfaqësues të Arabisë Saudite, ku u trajtuan “pengesat më të rëndësishme” në lidhje me udhërrëfyesin e paraqitur nga OKB-ja për zgjidhjen e krizës aktuale. Në një intervistë për gazetën saudite “Al-Sharq Al-Awsat”, zëdhënësi i Huthive, Mohammed Abdul-Salam tha se situata në Jemen “po shkon mirë, që nga fillimi i armëpushimit të OKB-së në prill 2022, që korrespondon me muajin e Ramazanit në atë kohë dhe përmes diskutimeve me palën saudite nën sponsorisimin e Omanit”.

“Udhërrëfyesi përfshinte shqetësimet e të gjithëve dhe theksoi nevojat urgjente humanitare për popullin jemenas”, tha Abdul-Salam duke shtuar se kjo do të ketë “ndikim të rëndësishëm pozitiv në pjesën tjetër të çështjeve, veçanërisht në dialogun politik”. Në dhjetor 2023, i dërguari i OKB-së në Jemen, Hans Grundberg njoftoi angazhimin e qeverisë jemenase dhe grupit Huthi për një sërë masash për një armëpushim “gjithëpërfshirës” në të gjithë vendin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, brenda një udhërrëfyesi për të zgjidhur krizën e Jemenit.

Jemeni është zhytur në dhunë që nga viti 2014 kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit nga qeveria jemenase e mbështetur nga Arabia Saudite. Konflikti në Jemen, megjithatë, ka filluar të de-përshkallëzohet më shumë se një vit më parë. Lidhur me krizën e Detit të Kuq, Abdul-Salam i tha gazetës se “operacionet ushtarake në Detin e Kuq që synojnë anijet izraelite që shkojnë në Izrael vazhdojnë dhe do të vazhdojnë deri në fund të agresionit në Rripin e Gazës si dhe heqjen e rrethimit që do të sjellë ndihmë në Rripin e Gazës”.

“Jemi duke shkëmbyer pikëpamjet me komunitetin ndërkombëtar, nën kujdesin e vëllezërve në Sulltanatin e Omanit”, shtoi zëdhënësi. Tensionet janë përshkallëzuar në Detin e Kuq mes sulmeve të Huthive ndaj anijeve tregtare që pretendohet se kanë lidhje me Izraelin. Huthit thonë se sulmet e tyre kanë për qëllim të bëjnë presion mbi Izraelin që të ndalojë sulmet e tyre shkatërruese në Rripin e Gazës, duke çuar që SHBA-ja dhe Britania e Madhe të nisin sulme ajrore kundër objektivave të Huthive brenda Jemenit. Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne