“Pushtimi i Izraelit është shembull tipik i kolonializmit evropian”

Nga Gulçin Kazan Doger
Drejtori i Middle East Monitor, Daud Abdullah, e krahasoi mënyrën e pushtimit të Palestinës nga Izraeli që vazhdon që nga vitin 1948 e deri më tani me taktikat e kolonializmit evropian.

Abdullah, drejtor i organizatës së monitorimit të shtypit me qendër në Londër, Middle East Monitor dhe ish-zëvendës sekretar i përgjithshëm i Këshillit Musliman Britanik, bëri një vlerësim për Anadolu në lidhje me pushtimin shumëvjeçar izraelit në Palestinë dhe sulmet që kanë vazhduar që nga 7 tetori 2023.

“Pushtimi i Izraelit është shembull tipik i kolonializmit evropian. Evropianët kanë paraqitur këtë qëndrim në çdo vend ku kanë shkuar në Amerikë, Australi, Afrikë. Konfisko tokën, merr sa më shumë tokë dhe elimino ata që kundërshtojnë”, tha Abdullah.

Duke bërë të ditur se Izraeli ka kryer bombardime intensive në Rripin e Gazës prej muajsh me pretendimin për “t‘i dhënë fund Hamasit”, Abdullah tha se “Nuk mund ta mposhtni një ideologji. Nëse tokat tuaja janë të pushtuara, ju keni të drejtë të rezistoni dhe kjo ide do të vazhdojë për aq kohë sa pushtimi vazhdon dhe do të përcillet nga një brez në tjetrin”.

Pasi shpjegoi se Izraeli dëshiron të dëbojë në Egjipt palestinezët që jetojnë aktualisht nën bllokadë në Gaza, Abdullah theksoi: “Unë mendoj se qëllimi i Izraelit është mjaft i qartë. Izraeli dëshiron të jetë një shtet i veçantë hebre ku nuk ka palestinezë apo arabë. Ai dëshiron të zvogëlojë popullsinë palestineze në Rripin e Gazës. Ajo që ata po përpiqen të bëjnë në veri tani është të krijojnë atë që ata e quajnë një zonë tampon, një zonë pa palestinezë, duan të pastrojnë nga palestinezët zona të tilla si Jibalia dhe Beit Hanoun. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se nuk do të përbëjnë një kërcënim për Izraelin”.

– “Procesi i dëbimit të palestinezëve nga atdheu i tyre vazhdon që nga viti 1948”

Abdullah tërhoqi vëmendjen se popullsia hebreje në Palestinë ishte vetëm 56 mijë në vitin 1917, kur u publikua Deklarata e Balfour, e cila rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Izraelit.

“Dyert për hebrenjtë u hapën me kuptimin e plotë kur u vendos regjimi i mandatit britanik në vitin 1922 dhe emigracioni vazhdoi me një ritëm të përshpejtuar gjatë viteve të luftës 1939-1945, deri në planin e ndarjes në 1947. Kur u shpall plani i ndarjes, numri i tyre arriti në 665 mijë. Arsyeja për këtë ishte se në atë kohë Britania ndodhej në regjimin e mandatit në Palestinë. Kjo do të thoshte se Britania ishte administratori, krye administratori, por është e rëndësishme të nënvizohet se të qenit krye administrator nuk do të thotë se ju jeni zotërues i pronës. Sovraniteti nuk iu transferua kurrë Britanisë”, vlerësoi më tej Abdullah.

Pasi tërhoqi vëmendjen që popullsia hebreje në Palestinë po rritej me mbështetjen e Britanisë dhe se arabët palestinezë u dëbuan nga atdheu i tyre, Abdullah rikujtoi se numri i palestinezëve të zhvendosur në vitin 1948 kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij, ishte më shumë se 750 mijë.

Duke vënë në dukje se procesi i dëbimit të palestinezëve nga atdheu i tyre vazhdon, Abdullah tha: “Para vitit 1948, Palestina kishte institucionet e saj, sistemin e saj gjyqësor, sistemin ligjor, shërbimet postare, bujqësinë e zhvilluar, institucionet kulturore, teatrot, bibliotekat dhe të gjitha këto ia morën. Pushtuesit që erdhën para vitit 1948, ua morën të gjitha këto prona, fabrikat, dyqanet, fermat, bibliotekat. Kjo është një fatkeqësi, shkatërrimi i vazhdueshëm i një shoqërie, shpërbërja e popullit të saj dhe fatkeqësisht kjo ende vazhdon”.

– “Pushtimi i Izraelit është një shembull tipik i kolonializmit evropian”

Shtetet perëndimore, të cilat luajtën një rol aktiv në krijimin e Izraelit, pavarësisht masakrës së qindra mijëra palestinezëve nga grupet e milicisë sioniste, kanë një qëndrim të ngjashëm sot, tha Abdullah.

“Qeveritë perëndimore të tilla si Britania dhe SHBA-ja u rreshtuan për të mbështetur këtë agresion dhe e mbështetën atë me aq sa mundën. Nëse ju kujtohet, në ditën e parë të luftës më 7 tetor, (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu kërkoi ndihmë nga SHBA-ja. Që nga ajo ditë amerikanët kanë dërguar armë dhe bomba çdo ditë. Britanikët dërguan avionë zbulimi, kanadezët dërguan njësi speciale. Të gjitha këto vende janë pjesë e kësaj. Shumë njerëz mendojnë se ‘kjo është vetëm puna e Izraelit‘, por jo. Izraeli dhe aleatët e tij po luftojnë kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës. Kjo është e vërteta”, u shpreh Abdullah.

Mënyrën e pushtimit të Palestinës nga Izraeli që vazhdon që nga vitin 1948 e deri më tani, Abdullah e krahasoi me taktikat e kolonializmit evropian, duke shtuar se “Grabitja e tokës dhe spastrimi etnik, ky është kolonializëm tipik evropian”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne