Një delegacion nga Rusia i kryesuar nga zëvendësministri i Parë i Drejtësisë së Federatës Ruse, Sergey Gerasimov ka vizituar Shqipërinë, ku ka zviluar një takim me zëvendësministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), Adela Karapici, transmeton Andolu Agency (AA)
Në një njoftim nga MZHETTS thuhet se thellimi i bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Rusisë ishte fokusi i takimit mes dy delegacioneve.
“Ky ishte takimi i bashkëkryetarëve të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Ekonomiko-Tregtar dhe Tekniko-Shkencor ‘Shqipëri-Rusi’, i cili i paraprin zhvillimit të takimit të Komisionit të 7-të të Përbashkët Ndërqeveritar mes dy vendeve. Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe ruse, ku përveç nevojës për bashkëpunim në sektorët kryesorë, si ekonomia, tregtia, transporti, bujqësia dhe energjia, u diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës dhe arsimit”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se gjatë takimit u kërkua thellimi i dialogut në të gjitha drejtimet ku dy vendet mund të gjejnë hapësira bashkëpunimi.
Sipas njoftimit, Karapici pohoi se kanë nisur procedurat për heqjen e vizave për shtetasit rusë që vizitojnë Shqipërinë nga muaji maj deri në tetor për sezonin turistik, ndërkohë që ajo ka kërkuar heqjen e vizave edhe nga pala ruse për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Rusisë.